Shkup, 17 maj – Gjatë qëndrimit në Republikën e Bullgarisë, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, ka takuar ministren bullgare për Turizëm, Nikolina Angelova, me të cilën bashkë janë dakorduar për inicimin e krijimit të një oferte turistike rajonale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Bekteshi, thuhet në njoftimin e kabinetit të tij, shprehu kënaqësinë me rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve bullgarë në Maqedoni, duke përmendur faktin se në vitin 2017 afro 50 mijë shtetas bullgarë kanë vizituar Maqedoninë, duke realizuar rreth 80 mijë bujtje.
Sipas të dhënave statistikore, numri i turistëve bullgarë të cilët vizituan Maqedoninë në vitin 2017 u rrit me 24 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, aq sa është edhe numri i bujtjeve, ndërsa gjatë muajve janar – mars 2018, Maqedonia u vizitua nga rreth 10 mijë turistë bullgarë, të cilët kanë bërë 14 mijë bujtje në vendin tonë, një rritje prej 21 për qind të vizitorëve dhe 14 për qind të bujtjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministrja bullgare Angelova, nga ana e saj, shprehu kënaqësinë që në sezonin e dimrit, turistët nga Maqedonia zgjodhën vendpushimet bullgare të skijimit, që tregon se turistët nga të dy vendet kanë shije të ngjashme për përmbajtjen e ofertave turistike. Ajo tha se Protokolli i bashkëpunimit në fushën e turizmit i nënshkruar vjeshtën e kaluar, ka dhënë tashmë efektet dhe kontribuon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në të dy vendet.
Bekteshi dhe Angelova thuhet më tej në njoftim, ranë dakord se për të tërhequr turistë nga tregjet e treta, nevojitet krijimi i një itinerari rajonal turistik dhe për këtë qëllim siç thuhet, tashmë është krijuar një grup pune nga dy vendet, i cili deri në vjeshtë do të duhet të përgatisë një propozim-ofertë të përbashkët të turizmit, që mund të përfshijë edhe vendet e tjera nga rajoni, me çka turistët botërorë në një distancë të vogël do të kenë atraksione të ndryshme.