Shkup, 2 gusht – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në solemnitetin për shënimin e “Ditës së Republikës” – 2 Gushtin në kishën “Shën Spasi”, apeloi “që për të ardhmen e Maqedonisë të tejkalojmë të kaluarën dhe të tashmen”. Ai theksoi se historia dhe e kaluara janë themelet e forta me anë të të cilave filluan të ndërtojnë të ardhmen evropiane dhe euro-atlantike të Maqedonisë. Zaev në shënimin e kësaj feste ishte i shoqëruar nga homologu i tij bullgar, Bojko Borisov, të cilët bashkarisht vendosën kurora me lule në varrin e Goce Dellçevit. Sipas kryeministrit Zaev, Maqedonia dha shembullin se si duhet të ecet përpara, duke theksuar se, “Maqedonia zgjati dorën dhe dora u shtri për të. Bullgaria tregoi përgjegjësinë e njëjtë për qëllime të përbashkëta”. “Gjeneratat tona kaluan nëpër sfida dhe luftuan për të drejtën, për liri dhe për jetë njerëzish. Gjeneratat tona zgjodhën dhe mbrojtën të ardhmen e lirë dhe ne jemi nisur drejt një të ardhme stabile. Rruga e Maqedonisë më në fund është e hapur, të jeni të gjithë krenar për këtë sukses. Suksesi nuk është i një njeriu, ne erdhëm së bashku, maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të tjerët. Suksesi nuk është i një grupi apo partie politike, ramë dhe u ngritëm bashkërisht. Suksesi është i përbashkët nga të gjithë, pavarësisht fesë, etnisë, gjinisë apo besimit. Suksesi është i kësaj Maqedonisë sonë”, deklaroi Zaev. Kryeminstri Borisov qëndron për vizitë në Maqedoni nga dita e djeshme, me ç’rast nënshkroi edhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me homologun e tij maqedonas. Ai pas solemnitetit në kishën “Shën Spasi”, bashkë me delegacionin qeveritar të Bullgarisë, do të udhëtojë për në Sofje. Me Ditën e Republikës, Maqedonia shënon festën e dy ilindenëve, përvjetorin e “Kryengritjes së Ilindenit” që është nisur kundër Shtetit Osman, si dhe atë të “Kuvendit të parë të KAÇKM-së” (Kuvendi antifashist i çlirimit popullor të Maqedonisë). Fillimin e kryengritjes së Ilindenit e kumtuan kambanët në Krushevë, në mesnatë përballë Ilindenit në vitin 1903. Rreth 800 kryengritës e çliruan qytetin, ndërsa pas dy ditësh, Nikolla Karev e shpalli Republikën e Krushevës dhe u bë kryetar i saj. Republika e lirë zgjati vetëm dhjetë ditë. Ndërsa, 41 vite pas kryengritjes së Ilindenit, në Manastirin Shën Prohor Pçinski afër Kumanovës, 115 delegatë e mbajtën Mbledhjen e parë të KAÇKM-së, ku u konfirmua pozita shoqëroro-juridike e Maqedonisë si shtet i barabartë federal në korniza të Jugosllavisë. Mbledhjen e hapi Panko Brashnarov, delegat më i vjetër dhe dëshmitar i dy ilindenëve, ndërsa Presidiumi i KAÇKM-së u zgjodh në krye me Metodija Andonov Çento.