Evis HALILI
Shkup, 15 mars – Maqedonia ka qenë një destinacion i preferuar turistik në këtë fillimvit. Sidomos për shqiptarët, nga Shqipëria dhe Kosova të cilët përbëjnë gati një të katërtën e numrit të përgjithshëm të turistëve për muajin janar, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave zyrtare fluksi turistik ka nisur mbarë, me një rritje të përgjithshme të numrit të turistëve prej më shumë se 20 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Në krye të listës janë turistët nga Shqipëria (3 819 turistë) që përbëjnë 12,6 për qind të numrit të përgjithshëm, si edhe grekët (3 670 turistë), pas tyre vijnë bullgarët (3 562 turistë), shqiptarët nga Kosova (mbi 10 për qind e numrit të përgjithshëm), e të tjerë. Qytetet si Struga dhe Ohri janë më të frekuentuara nga turistët shqiptarë, ashtu si edhe Kodra e Diellit dhe Mavrova, sidomos për shkak të pistave të skijimit dhe komplekseve atraktive të turizmit dimëror.
Ajo që bie në sy këtë vit është përgjysmimi i numrit të turistëve bullgarë, të cilët gjatë të gjithë vitit të kaluar dhe sidomos në muajin dhjetor përbënin mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve. Edhe turqit nuk e vizitojnë më si dikur Maqedoninë, të paktën gjatë stinës së dimrit. Numri i tyre është reduktuar ndjeshëm, duke mos arritur as deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm.
Në total numri i turistëve ka arritur në rreth 50 mijë persona (mbi 14 për qind më shumë) dhe i bujtjeve në hotele e vende të tjera akomodimi në mbi 107 mijë net (mbi 22 për qind më shumë). Këto shifra tregojnë një rritje të përgjithshme si të numrit të turistëve , po aq sa edhe të qëndrimit të tyre, edhe pse vendet turistike dhe kurative vizitohen më pak nga turistët vendas. Atraksioni më i madh turistik për Maqedoninë mbetet kryeqyteti.
Sidomos për të huajt, thuajse gjysma e të cilëve qëndrojnë në Shkup. Vendet malore janë më pak të preferuara për të huajt dhe më të frekuentuara nga vendasit, ndërsa pikat turistike pranë liqeneve në dimër vizitohen më shumë nga turistët e huaj. Hotelet me pesë dhe tre yje janë lokacionet e akomodimit për pjesën më të madhe të vizitorëve nga jashtë vendit, ndërsa turistët vendas kryesisht kanë shfrytëzuar akomodimin në banjat termale.
Por jo gjithmonë të huajt vijnë për pushime. Sipas anketave më të fundit të ESHS, edhe pse që nga viti 2016 numri i të huajve që frekuentojnë Maqedoninë është në rritje, një pjesë e mirë e tyre vijnë për t’u kuruar në qendra spitalore, si edhe për të vizituar të afërmit e tyre. Ndërsa në një numër më të vogël për turizëm, vizita profesionale dhe afariste dhe në një përqindje më të vogël janë ato që lidhen me ndjekjen e ngjarjeve dhe manifestimeve religjioze. Në përgjithësi huajt shpenzojnë më shumë për akomodim dhe ushqim në objekte hotelerike dhe gastronomike dhe as 4 për qind për kulturë dhe zbavitje.
Të huajt nga Greqia, Kosova dhe Shqipëria janë kategoria e vizitorëve që shpenzojnë më shumë nëpër spitale, banja termale, e të tjera, për dallim nga turistët italianë, sllovenë apo amerikanë. Vizitorët e anketuar vënë në pikë të parë mikpritjen dhe lokalitetet arkeologjike, ndërsa i zhgënjen higjiena publike, infrastruktura rrugore dhe siguria. Maqedonia e arriti kulmin e fluksit turistik gati dhjetë vjet më parë, kur Qeveria nisi realizimin e megaprojektit kontrovers “Shkupi 2014”, duke e shndërruar kështu kryeqytetin në atraksionin dhe destinacionin kryesor të të huajve, kryesisht nga Greqia, Turqia, Kosova, e të tjera. I njëjti rikthim mund të pritet edhe këtë vit, me ndryshimet e paralajmëruara dhe heqjen e një sërë përmendoresh dhe objektesh të tjera që u ndërtuan si pjesë e projektit të qeverisë së ish kryeministrit Gruevski. (koha.mk)