Maqedonia dalëngadalë po humb tregun e Kosovës

Zejnulla VESELI

Shkup, 8 gusht – Të dhënat Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) tregojnë se për 6 muajt e parë të këtij, Maqedonia ka rritur eksportit me vendet e jashtme në vlerë totale prej 146.245.756.000 denarë ose 2.3 miliard euro duke shënuar një rritje prej 16 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Edhe përkundër rritjes së eksportit për periudhën janar-korrik të mallrave maqedonase në tregjet e jashtme, Maqedonia sërish ka suficit sa i përket importit të mallrave nga vendet e jashtme. Në 6 mujorin e parë të këtij viti, vlera totale e mallrave të importuara ka arritur shifrën prej 199.947.002.000 apo 3.2 miliard euro duke krijuar kështu deficitin tregtar prej 53.701.246.000 denarë që i bie të jetë rreth 1 miliard euro. Sipas të dhënave të ESHS-së, shkëmbimi tregtar më vendet e jashtme sa i përket grupeve të eksportit 29 për qind përbëhet nga metalet bazë dhe artikujt e tyre, 17 për qind përbëjnë produktet minerale, 12.4 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura (pijet dhe duhani) 10.5 për qind plastika, goma dhe artikujt e tyre, 9.3 për qind produktet bimore, 3.8 për qind artikujt e ndryshëm të prodhuar, 3.6 për qind tekstili dhe artikuj e tij, 3.0 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Më shumë mallra të eksportuara, përcjell KOHA, janë katalizatorët dhe metalet fisnike, pajisje elektrike për vetura, aeroplanë, anije, feronikel dhe veshmbathje. Ndërsa, sipas të dhënave, grupet kryesore për import përbëhen nga platini dhe legurat prej platini, vajra të naftës të papërpunuara apo në pluhur, vajra të fituara nga mineralet e bitumonit, metale tjera prej platini dhe legurave të platinit, si dhe energji elektrike. Të dhënat e fundit për 6 mujorin e parë të këtij viti të ESHS-së tregojnë se gjatë kësaj periudhe – më së shumti shkëmbim tregtar Maqedonia ka pasur me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Për 6 muajt e parë të këtij viti, Maqedonia drejt Gjermanisë ka eksportuar mallra në vlerë të përgjithshme prej 939.722.632 euro, ndërsa ka importuara mallra në vlerë prej 314.409.885, duke krijuar një suficit prej 625 milionë euro. Ndërkaq sa i përket eksportit me vendin fqinj – Kosovën, për periudhë 6 mujore sërish shënon suficit sa i përket këmbimit tregtar, por është shumë më i ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Për periudhën janar-korrik, Maqedonia drejt tregut kosovar ka shitur mallra në vlerë të përgjithshme prej 74.749.627 milionë euro, ndërsa për këtë periudhë Kosova ka rritur shitjen e mallrave në tregun e Maqedonisë duke arritur shifrën prej 13 milionë euro. Në anën tjetër, për herë të parë Maqedonia ka eksportuar mallra drejt Shqipërisë gati aq sa edhe ka importuar. Për gjashtë muajt e parë, në tregun e Shqipërisë mallra maqedonase janë shitur në vlerë totale prej 24 milionë euro, ndërsa në tregun e Maqedonisë mallrat shqiptare të shitura kanë arritur shifrën prej 23 milionë euro. Ndryshe, krahasuar këmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovë me periudhën janar-korrik të vitit 2016, Maqedonia drejt Kosovës ka eksportuar mallra për 25 milionë euro më pak, ndërsa mallrat e Kosovës të shitura në tregun e Maqedonisë mbeten në shifrat e njëjta – 13 milionë euro. Këto të dhëna statistikore tregojnë se Maqedonia në pesë vitet e fundit po e humb tregun e Kosovës dhe nga një suficit prej rreth 400 milion euro në vitin 2011, vitin 2016 e mbylli me rreth 190 milionë euro.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.