Shkup, 5 dhjetor – Ithtarët e “Maqedonia bllokon” të cilët i kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese paralajmëruan se krahas bllokimit 24 orësh të hapësirës para Kuvendit, prej të premtes i zgjerojnë aktivitetet me bllokime edhe në udhëkryqet nëpër Shkup në orët e pasdites.
Dragan Ugrinovski në konferencën e sotme për media informoi se janë të vetëdijshëm se për shkak kësaj komunikacioni të premten do të vështirësohet dhe për këtë bëjnë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët.
“Këtë nuk e bëjmë për interes personal, partiak apo për ndonjë interes tjetër, por për mbrojtjen e emrit, identitetit, historisë dhe traditës të popullit maqedonas”, tha Ugrinovski.
Në lidhje me pesë debatet e paralajmëruara dhe dialogun për draft-amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës që do t’i organizojë Qeveria, Ugrinovski tha se ky është edhe një mashtrim i madh nga pushteti nëse shikohet lista e pjesëmarrësve në debat.
Nga “Maqedonia bllokon” i bëjnë thirrje kryeministrit Zaev të marrë pjesë edhe në debatin publik për ndryshimet kushtetuese të organizuara prej tyre. Përsëritën se qëllimi i aktiviteteve të tyre është shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i zgjedhjeve të reja.