Nga Emin AZEMI
Në pikëpamje demografike e urbane vërehet një asimetri e skajshme, për shkak të migrimit të madh të popullsisë nga Maqedonia Lindore në Shkup. Prandaj, jo rastësisht për Shkupin thuhet se është gati e gjithë Maqedonia.
Politika demografike e urbane e Maqedonisë edhe në këtë drejtim ka qenë e padrejtë ndaj banorëve të saj. Në njërën anë ka nxitur migrimin (maqedonas) fshat-qytet, në anën tjetër ky migrim ka qenë më i orientuar drejt Perëndimit (shqiptarët). Mërgimtarët maqedonas të ardhur nga Maqedonia Lindore në Shkup u bënë “padronë” të mëdhenj, kurse mërgimtarët shqiptarë të Maqedonisë Perëndimore u bënë rrogëtarë të metropoleve evropiane.
Por, Maqedonia Perëndimore edhe sot e kësaj dite është më e bukur, më e gjallë dhe me një urbanistikë rurale për çdo lakmi. Parazitizmi maqedonas me vite të tëra kishte prodhuar “njeriun e shtetit”, i cili punonte në stilin “tun e ha” dhe harxhoi ardhmërinë e vet duke ia kthyer shpinën fshatit për një trohë snobizëm industrial në kryeqytet. Atje la vetëm disa pleq, si thëngjij gjysmë të ndezur, që japin do shenja jete.
Dehumanizimi, i cili erdhi si pasojë e urbanizimit të paplanifikuar krijoi përshtypjen e rrejshme, se ata që zotërojnë Shkupin, zotërojnë krejt Maqedoninë. Por, në fakt në Shkup u krijua vetëm një oligarki ekonomiko-politike, kurse pjesa tjetër u proletarizua deri në palcë. Proletarët e tillë ende protestojnë dhe kërkojnë t’u shpërblehet statusi i të falimentuarve. Kjo sepse në Maqedoni me vite kishte falimentuar ideja e zhvillimit proporcional të rajoneve.
Shteti kishte investuar disa projekte kapitale ekonomike e industriale në Maqedoninë Lindore, ndërkohë që rrugët, kanalizimet, shkollat në fshatrat e Maqedonisë Perëndimore ua kishte lënë në duar private shqiptarëve. Konkurrimi i investimit shtetëror dhe ai privat një kohë ishte shumë disproporcional, sepse në njërën anë shteti hapte fabrika dhe vende pune për mijëra punëtorë maqedonas, kurse në anën tjetër, shqiptarët me paratë e kurbetit asfaltonin rrugë, hapnin kanalizime dhe ndriçonin sheshet e fshatrave të tyre. Tani shteti nuk po hap fabrika, por shqiptarët janë ata që po e mbushin arkën e shtetit. Potenca fiskale e shqiptarëve, asnjëherë nuk është kalkuluar politikisht dhe pikërisht këtu kanë dështuar partitë politike shqiptare. Në fakt, shqiptarët në Maqedoni paraqiten investitorë të dyfishtë: në njërën anë duke investuar në ekonomitë e tyre private dhe në anën tjetër duke shtuar potencën fiskale të shtetit, përmes qarkullimeve pagesore në sektorin e gastronomisë, telefonisë mobile, auto-salloneve, derivateve të naftës, duhanit, materialeve ndërtimore etj.
Nëse një shtet si Maqedonia ka zhvillim joproporcional dhe nëse në atë shtet një pjesë e popullsisë jeton nga të ardhurat që i siguron vetë, atëherë medoemos duhet hartuar një politikë tjetër makroekonomike. Në kushte të tilla shteti duhet t’i orientojë investimet andej edhe nga vijnë harxhuesit dhe paratë. (koha.mk)