Ka përfunduar të mërkurën turniri ndërkombëtar në futsall “Shkupi 2016” në të cilën përfaqësuesja e Maqedonisë nuk arriti asnjë fitore. Të përzgjedhurit e seleksionuesit Ivan Bozhoviq, në ditën e parë të turnirit barazuan 2:2 me Bosnjën e Hercegovinën, ndërsa me të njëjtin rezultat barazuan me Portugalinë. Njëri prej katër futbollistëve shqiptar, që Bozhoviq i kishte përfshirë, Taulant Ismaili është shprehur i kënaqur me paraqitjen që Maqedonia e bëri në këtë turnir. Ndryshe, pos Ismailit, pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë kanë qenë edhe Ferid Agushi, Erkan Seferi dhe Sedat Ziberi. “Zhvilluam dy ndeshje të mira në këtë turnir kontrollues dhe mendoj se ia kemi arritur qëllimit para kualifikimeve që do të mbahen në muajin prill vitin e ardhshëm. Ndaj Bosnjës nuk patëm fat ku në sekondat e fundit boshnjakët e barazuan rezultatin në 2:2 edhe pse gjatë gjithë ndeshjes dominuam. Edhe kundër Portugalisë shumë të fuqishme, luajtëm mirë, pa marr parasysh se luajti futbollisti më i mirë i tyre Rikardinjo apo jo. Ata janë një përfaqësuese të cilët luajnë në ligat më të fortë evropiane dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur që luajtëm baras 2:2”, thotë për KOHA, Ismaili.
Ai thotë se të gjithë në ekip e kanë kuptuar se mund të bartën me përfaqësueset më të mira evropiane. “Duke marr parasysh paraqitjen që e bëmë ndaj Portugalisë, ku kishim 2:0 në fillim dhe më pas mysafirët arrin të barazojnë rezultatin, mendoj se të gjithë në ekip e kemi kuptuar dhe e kemi të qartë se mund të bartemi me përfaqësueset më të mira evropiane. Por, evidente është se na nevojitet edhe shumë punë për t’ia arritur qëllimit”, përfundoi Ismaili, futbollisti i skuadrës së Velesit. (koha.mk)