Shkup, 28 maj – Në vitin 2017 në Maqedoni kanë diplomuar gjithsej 8.545 studentë në shkollat e larta profesionale dhe fakultetet, që në krahasim me vitin 2016 është rritje për 3,6 për qind, kumtoi Enti Shtetëror për Statistikë.
Prej tyre, në institucionet shtetërore të arsimit të lartë kanë diplomuar 6.460, në fakultetet private 2.045 dhe në fakultetet fetare 40 studentë.
Nga numri i tërësishëm i të diplomuarve, 82,1 për qind janë studentë të rregullt, ndërsa 17,9 për qind janë studentë të çregullt. Përqindja e studentëve të diplomuar është 57,5 për qind. Në afat kanë diplomuar 38,6 për qind, ndërsa 61.4 për qind kanë diplomuar pas afatit.