Shkup, 20 maj – Përfaqësuesja e Maqedonisë është duke u përgatitur që ndeshja e radhës kualifikuese mes saj dhe KOmbëtares së Shqipërisë të zhvillohet në një stadium shumë larg zonës së populluar nga shqiptarë. një përfaqësi e UEFA-s, me kërkesë të Federatës Maqedonase të Futbollit ka inspektuar kushtet në stadiumin “Mlladost” në Strumicë, stadium ku më 17 maj u zhvillua finalja e Kupës ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit. Federata, jo vetëm që kërkon ta dërgojë ndeshjen në një impiant shumë të vogël në krahasim me “Telekom Arena” në Shkup, por edhe po mendon zhvillimin e përballjes me kuqezinjtë në një impiant ku të mërkurën koret raciste antishqiptare nga përballja e së mërkurës janë shumë të freskëta. Mirëpo, kjo nuk ka bërë aspak Federatën e Maqedonisë që të mendojë për të pritur kuqezinjtë e De Biazit në stadiumin kombëtar.
Të mërkurën përfaqësuesi për sigurinë i UEFA-s, Zhelko Pavlica, ka inspektuar kushtet e stadiumit “Mlladost”, në Strumicë. Ai ka qenë i shoqëruar nga Komisari i Sigurisë në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, Robert Markoviç, si dhe nga Tieri Favre, një përfaqësues i UEFA-s, i cili është përgjegjës për organizimin e ndeshjeve nga UEFA. Me këtë lëvizje, FFM ka marrë këshilla dhe disa detyra për të realizuar në këtë impiant dhe duket qartësisht që është duke punuar për të marrë dakordësinë e UEFA-s që përballja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë më 5 shtator të luhet në këtë impiant të vogël. E gjithë kjo, për faktin se është në pozitë gjeografike të largët me zonat ku janë të vendosur shqiptarët, si dhe për faktin e thjeshtë që është një impiant i vogël për nga kapaciteti (6500) që e bën shumë minimal përfaqësinë e skuadrës mike, në rast se do të vendoset që të ketë tifozëve shqiptarë.