Shkup, 8 qershor – Nevojë për ndryshim të zgjidhjeve të caktuara ligjore, thjeshtësim të procedurave për regjistrim në librin amë të të lindurve, bashkëpunim ndërinstitucional dhe punë më efikase në terren për zbulim dhe zgjidhje të statusit të personave të cilët janë pa dokumente personale dhe shtetësi, konstatuan një pjesë e nxënësve në debatin e sotëm në të cilin u prezantua edhe “Analiza e kornizës juridike e lidhur me regjistrimin amë dhe qytetar lidhur me pengimin e pashtetësisë”.
Profesori Borçe Davitkovski, i cili është autor i saj, theksoi se për zgjidhje të këtij problemi nevojiten ndryshime ligjore, regjistrim të të gjithë personave të cilët janë pa shtetësi, por edhe në rrezik nga pashtetësia, procedurë e posaçme për konfirmim të statusit të pashtetësisë, si dhe trajnime për ngritje të vetëdijes tek popullata që është në rrezik nga pashtetësia.
“Këta persona duhet të fitojnë status juridik të qytetarëve. Ata tani janë masë amorfe, të cilët nuk ekzistojnë, janë të paemëruar. Nuk ka dokumente personale. Ka persona të cilët kanë identitet, por, nuk kanë shtetësi, por edhe persona të cilët nuk kanë as identitet, as shtetësi. Duhet të bëhen përpjekje që këta persona të bëhen qytetarë dhe të mund t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat”, tha Davitkovski.
Përfaqësuesi i UNCHR-së në Maqedoni Dejan Kladarin konsideron se problemi me apatridët është i zgjidhshëm dhe se për këtë nevojitet qasje sistematike. Nevojiten ndryshime ligjore, lehtësim të procedurave administrative të cilat do të mundësojnë që në një të ardhme të afërt të zgjidhet problemi.
Paralelisht me këtë, shtoi Kladarin, duhet të punohet edhe në terren në bashkëpunim me sektorin joqeveritar që këta persona të identifikohen dhe të ndihmohen që ta zgjidhin statusin e tyre.
Përfaqësuesi i OSBE-së në Maqedoni Xhef Goldstajn theksoi se ky është problem i më shumë gjeneratave, për shkak se, siç tha, personi i cili nuk ka dokumente nuk mund t’i regjistrojë, as fëmijët e tij edhe pse është lindur në vend. Posaçërisht e rëndësishme, sipas tij, është puna në terren.
“Konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që Qeveria të ketë bashkëpunim me OJQ nga bashkësitë në të cilat ka shumë persona të paregjistruar, për shkak se nëse nuk e di se si mund të regjistrohen, nuk mund të zgjidhet problemi edhe pse ka super ligje”, tha Goldstajn.
Jovana Trençevska, sekretare shtetërore në MPPS, theksoi se posedimi i dokumenteve personale është kyçe që një person të mund t’i realizojë të drejtat e tij, në procedura para institucioneve kompetente, qendra për punë sociale, institucionet shëndetësore, agjencitë për punësim, institucionet arsimore, por edhe që t’i realizojnë të drejtat themelore të njeriut.
Për këtë arsye, nevojitet zgjidhje e këtij problemi, për çka është angazhuar edhe Qeveria.
Informoi se deri tani janë identifikuar rreth 600 persona për të cilët është realizuar verifikim në bazën për numër amë të qytetarit, si dhe librat amë të të lindurve. Madje, është konfirmuar se një pjesë e tyre tanimë janë identifikuar në librat amë, por nuk kanë certifikata, disa janë lindur në spital, por nuk u është caktuar emri personal, ndërsa një pjesë në kushte shtëpiake, por asnjëherë nuk është paraqitur lindja e tyre.
Sipas saj, nevojitet ndryshim i ligjeve për procedurë jashtëgjyqësore, dhe për evidentim amë në drejtim të hapjes së regjistrit të posaçëm për persona të cilët nuk kanë regjistrim të qytetarëve dhe numër të posaçëm regjistrimi nga karakteri i përkohshëm deri në regjistrim në librin e të lindurve.
Prezantimi i analizës ishte në organizim të misionit të OSBE-së në Shkup, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Përfaqësisë së UNCHR-së në Shkup.