Shkup, 26 mars – Secili qytetar i Maqedonisë që nuk është i kënaqur nga emri i tij personal apo mbiemri dhe dëshiron ta ndryshojë atë, mund ta bëjë shumë thjeshtë, me paraqitjen e disa dokumenteve dhe harxhime jo më të larta se 300 denarë për kërkesat e nevojshme, bashkë me taksat administrative, njofton Koha. Ky çmim është për ata të cilët paraqesin kërkesë me procedurë të rregullt. Për ata që duan të bëjnë me procedurë të përshpejtuar, çmimi është më i lartë.
Ligji për ndryshimin e emrit personal, mes tjerash, lejon ndryshim të emrit sa herë që të duash, deri në atë moment që emri i përzgjedhur nuk e cenon dikë. Për këtë hap brenda vitit në Maqedoni vendosin qindra qytetarë. Të drejtë për ndryshim të emrit kanë të gjithë qytetarët më të vjetër se 15 vjet që janë të aftë për tu arsyetuar, nuk janë të gjykuar dhe kundër tyre nuk ka procedurë penale.
Kërkesa dërgohet në shërbimet amë të Ministrisë së punëve të brendshme, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm është letërnjoftimi, vërtetim nga Drejtoria e të ardhurave publike se personi nuk ka borxhe, certifikatë nga libri amë i të lindurve, nënshtetësi si dhe vërtetim se nuk ka hetime ndaj tij.
“Më së shpeshti emrin e ndryshojnë gratë të cilat divorcohen, por ka raste edhe për ndryshim të fesë, nacionalitetit ose për tu përshtatur me rrethanat. Gjithashtu, fëmijëve ua ndryshojnë emrat për shkaqe të ndryshme, ose kur adaptojnë fëmijë”, thonë burime zyrtare. (Koha.Mk)