Shkup, 19 dhjetor – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në bashkëpunim me Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) dhe Fondacionin Zhvillimor të Maqedonisë për Ndërmarrje (FZHMN), ndanë tradicionalisht çmimet për sipërmarrësit më të suksesshëm për vitin 2017, nga ndërmarrjet mikro dhe të vogla, që ndahen me qëllim të nxitjes së frymës sipërmarrëse në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, përshëndeti punën që bëjnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për krijimin e vendeve të reja të punës, rëndësia e të cilës më së miri përshkruhet përmes strategjisë “Evropa 2020”, në të cilën Bashkimi Evropian ka nënvizuar përkrahjen për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme, si dhe sipërmarrjet në tërësi.
“Në këtë drejtim, Ministria e Ekonomisë në programin e saj vjetor në kategorinë e Konkurrencës, Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka zbatuar masat dhe aktivitetet për të krijuar klimë nxitëse për hapjen e ndërmarrjeve të reja, për forcimin e atyre ekzistuese, mikro, të vogla dhe të mesme, zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës institucionale për të mbështetur biznesin dhe frymën sipërmarrëse”, tha Bekteshi, për të shtuar se nga ky program këtë vit janë përkrahur 89 kompani, 23 zejtarë dhe 30 projekte të OJQ-ve dhe Odave të Zejtarëve të cilët kanë aplikuar për këto masa.
Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM), Daniella Arsovska, në adresimin e saj, u ndal tek veprimtaria e sipërmarrësve të vendit, më saktësisht tek vlerësimi i tyre nga faktorët relevant ndërkombëtar. “Atë që tjerët e thonë për ne, është se Republika e Maqedonisë është vend me njerëz të mençur dhe ide të mira”, tha Arsovska.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), Nebi Hoxha, tha se bizneset në Maqedoni përballen me barriera të shumta të cilat pamundësojnë pjesëmarrjen në sektorin e ekonomisë, siç janë sipas tij qasja në financa, probleme administrative dhe sigurimin e kuadrove profesionale të cilat vështirësojnë realizimin e ideve të biznesit.
“Këto problematika kanë ekzistuar vite me radhë dhe kanë reflektuar edhe në numrin e bizneseve të cilat janë të regjistruara, si dhe kanë bërë të rinjtë të hezitojnë të marrin nisma në sektorin e ekonomisë”, tha Hoxha, për të shtuar se nga masat e fundit të OEMVP-së është pikërisht inkurajimi i të rinjve për sipërmarrësi.
Në aktivitetin e sotëm u ndanë çmimi i parë dhe i dytë në kategorinë e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla. Në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla, çmimi i dytë i takoi një kompanie e cila në fushëveprim ka transportin, logjistikën dhe shpedicionin, ndërsa çmimi i parë i takoi një kompanie që merret me prodhimin e materialeve ndërtimore.
Çmimin e dytë në kategorinë mikro, e fitoi kompania që mbledh, përpunon dhe eksporton fruta mali, ndërsa çmimin e parë një kompani marketingu.
Selektimi është bërë në bazë të të dhënave nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë.