Evis HALILI
Shkup, 18 mars – Shqiptarët dhe maqedonasit ndajnë mendime të ndryshme, jo vetëm sa i takon proceseve eurointegruese të vendit, por edhe rolit të ndërmjetësuesit që luajti Bashkimi Evropian në tejkalimin e krizës politike dhe institucionale në Maqedoni dhe aleteve të jashtëm të vendit, shkruan gazeta KOHA. Sipas rezultateve të anketave të bëra nga fondacioni Konrad Adenauer dhe Instituti i Demokracisë Societas Civilis konstatohet se kredibiliteti i BE në Maqedoni është në pikëpyetje, ndërsa interesimi për anëtarësimin e vendit po ashtu është në rënie. Hulumtimi sjell edhe një krahasim në vite dhe ajo që bie në sy është se numri i atyre që mendojnë se nuk ka fare rëndësi nëse vendi anëtarësohet në BE, është rritur në krahasim me vitin 2014, duke arritur në 16 për qind. Nga të gjithë të anketuarit, më pak se gjysma (48 për qind) pohojnë se hyrja në BE është shumë e rëndësishme, përqindje kjo që nuk ka ndryshuar prej dy vitesh. Në rënie është numri i atyre që mendojnë se “deri diku është e rëndësishme”, nga 36 për qind në vitin 2014 në 29 për qind në 2016.
Të ndarë sipas përkatësisë etnike, pakënaqësia për rolin e ndërmjetësuesit të BE është më e madhe tek maqedonasit (44,3 për qind), ndërsa tek shqiptarët më e vogël ((35,2 për qind). Sa i takon ndikimit të vendeve të huaja, thuajse gjysma e atë anketuarve mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndikim më të madh. Lidhur me preferencat për aleatet e vendit perceptimet janë të ndryshme tek maqedonasit dhe shqiptarët. Nëse përqindja më e madhe e maqedonasve mendojnë se Rusia është aleati më i mirë (29 për qind), shqiptarët besojnë tek BE, si aleate më e mirë (32 për qind). Edhe pse mbështetja që maqedonasit i japin BE është 24, 7 për qind, dallimi mes dy etnive është i madh tek preferencat për SHBA. Mbi 28 për qind e shqiptarëve besojnë tek SHBA si aleate, ndërsa maqedonasit vetëm 15 për qind.
“Mbështetja në rënie për anëtarësimin në BE mes maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë manifeston euroskepticizmin në rritje që rrjedh nga ndjesia e kërcënimit kulturologjik ose cenimin e suverenitetit identitar. ..Ekziston një disparitet i rëndësishëm sa i takon mbështetjes për hyrje në BE mes maqedonasve dhe shqiptarëve, që kushtëzohet me ndryshimin e emrit të shtetit, megjithatë kjo diferencë është ulur në dy vitet e fundit”, ka deklaruar Ivan Damjanovski nga Konrad Adenauer gjatë prezantimit të raportit.
Të anketuarit përgjigjen se ngecja e reformave janë shkaku kryesor që Maqedonia ende nuk është pjesë e BE, ndërsa shumica, 25 për qind prej tyre janë të mendimit se asnjëherë nuk do të arrijë të bëhet anëtare. Në pyetjen hipotetike se çfarë do të ndryshojë kur Maqedonia të anëtarësohet në BE 25 për qind janë të bindur se do të zhvillohet ekonomia, do të ulet papunësia dhe përmirësimi i cilësisë së jetës në përgjithësi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.