Kur madhëria e tij, sulltani Mansour ka blerë Manchester City-in, në 4 gushtin e 2008-ës, ka thënë dy gjëra thelbësore mes deklaratave të pakta zyrtare që ka bërë. Mansour nuk kishte besim te shtypi britanik dhe ndoshta as gazetarët anglezë nuk kishin shumë besim te ky i ri multimiliarder, i cili vinte pas Thaksin Shinawatra, që e kishte lënë City-in buzë falimentimit.
“Jemi këtu për të qëndruar dhe për të investuar shumë para, – ka thënë Mansour, – familja ime do të ketë nderin për të drejtuar City-in”. Në total, Mansour ka harxhuar 400 milionë euro për blerjen e klubit. Por, sot, City është në vendin e pestë mes skuadrave me më shumë të ardhura (527 milionë euro), mbrapa krahëve të United, Real Madrid, Barça dhe Bayern.
Kur sulltani mbërrit te City, klubi ishte në vendin e 17-të për të ardhurat sezonale, por i zhytur në borxhe. Mansour ka thënë edhe diçka tjetër: “City do të bëhet një skuadër ndërkontinentale, nuk do të kënaqemi të fitojmë në Europë dhe në botë, edhe pse e dimë se do të duhet kohë. Projekti ynë është më largpamës, përfshin edhe kontinente të tjerë”.
Kanë qenë të paktë ata që e kanë kuptuar atë që donte të thishte sulltani me këto fjalë që tingëllonin si bombastike, ndoshta për të afruar tifozët e “Qytetarëve”, të cilët kishin humbur çdo shpresë për ringjallje. Gjërat janë bërë më të qarta disa vite më vonë: klubi i familjes Mansour ka blerë me lejen dhe falënderimet e shumta të bashkisë rreth 30 zona tregtare në Manchester për të krijuar disa qendra komerciale, hotele, rezidenca, salla studimi dhe pika takimi për studentët dhe trajnerin.
Kështu ka lindur “Etihad Campus”, një mrekulli me rreth 40 fusha futbollit, palestra, pishina, fusha tenisi, pista për uljen e helikopterëve dhe gjelbërim. Marka e City-it është bërë gjithnjë më e madhe dhe “Sky Blue” i skuadrës ka filluar të eksportohet. Në fillim në Australi dhe më pas në Amerikë. Operacioni i themelimit dhe krijimit të New York City-it, me blerjen e “Yankee Stadium” – një simbol i qytetit – ka qenë një goditje prej 300 milionë eurosh.
Pse Australia? Pse New York? Sepse aty ka një treg të jashtëzakonshëm jo vetëm në aspektin e futbollit, por edhe atë të turizmit. Dhe Mansour, që është një nga aksionarët kryesorë të “Etihad”, nëse hap një treg, këtë e bën sepse e dinë se avionët e tij do të arrijnë deri atje. Kjo është pjesa ndërkontinentale. Dhe, duke parë se ai është disa hapa para të tjerëve, ka sakrifikuar me shumë dëshirë dhe me çmim të arsyeshëm, 296 milionë euro, aksione të klubit që janë blerë nga një kompani kineze. Shumë shpejt edhe Kina do të ketë një zonë “Sky Blue”.
Morali i fabulës: në dhjetë vite, familja Mansour ka investuar më shumë se 2 miliardë euro në botën e futbollit. Vetëm City ka shpenzuar 1 miliard e gjysmë në merkato. Gjysmë miliardi më shumë se Paris Saint-Germain (në pronësi të Emirates). Robinho, De Jong, Balotelli, Bellamy, Bridges, Tevez, Touré, Silva, Adebayor, Dzeko, Aguero, Nasri, Garcia, Jovetic, De Bruyne, Bony, Fernando, Sterling, Stones, Walke, Mendy, Danilo, Laporte, Mahrez… Për Mansour është e rëndësishme që paratë të qarkullojnë.
Nuk duhen harruar as katër trajnerët: Mark Hughes, Roberto Mancini, Manuel Pellegrini dhe Pep Guardiola. Skuadra, që në 2002-in ishte në Division 1 dhe e zhytur në borxhe, ka fituar tre Premier League, një Kupës të Anglisë, tri Kupa të Ligës dhe dy Superkupa të Anglisë.
Mungon titulli i madh ndërkombëtar, por Mansour ka thënë se është vetëm çështje kohe dhe parash, ndoshta.
Meqë ra fjala, e dini si e quajnë tifozët e City-it sulltanin? Manny… Që është si të thuash Buddy – shoku – për njerëzit e Manchester-it: është një prej tyre, një që di të japë gjithmonë përgjigjen e duhur. Ndërsa Mansour do të thotë dominues, fitues, i mbrojtur nga Zoti. Por me 30 miliardë euro pasuri personale likuide, përveç aksioneve të “Etihad”, “Virgin”, “Daimler” (Mercedes), “Sky” (Arabi), edhe drejtori i bankës së tij e do shumë.