“Familja jonë, e cila ka ardhur në qytet para më shumë se 200 vitesh, i takon fisit Beça. Ne si familje faktikisht e kemi këtë mbiemër – Beça dhe jo Vojnika siç na e ka vënë sistemi Jugosllav, gjithmonë për çështje politike. Qëllimi i ndryshimit të mbiemrave pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë manipulimi me dibranët, se gjoja këta me mbiemra të toponimeve të fshatrave janë banorë ardhacak në Dibër”, tregon dr. Ferit Vojnika
Vjollca SADIKU
Dibër, 22 prill – Në qytetin e Dibrës, kur bëhet fjalë për mbiemrat që ka mbajtur dhe mban popullata pas Luftës së Dytë Botërore, dominante janë mbiemrat e fshatrave të Krahinës së Dibrës. Por siç tregojnë dibranët, dominimi i mbiemrave me toponimet të fshatrave kryesisht ka qenë për shkaqe politike të inicuar nga sistemi jugosllav i atëhershëm. Në Dibër, prezent janë edhe mbiemrat e fiseve, profesioneve, gjyshërve, por tashmë kryeson prania e toponimeve fshatare. Sipas dibranëve të moshuar, pas Luftës së Dytë Botërore – gjatë marrjes së dokumenteve në ish shtetin Jugosllav, shërbimet e institucioneve përkatëse kryesisht kanë preferuar që mbiemrat ti vendosin sipas toponimeve të fshatrave nga kanë ardhur dhe siç i kanë patur deri atëherë. Kështu, në këtë kohë “vërshojnë” në dokumentet e shumë dibranëve toponimet e fshatrave Bllata, Maqëllara, Vojnika, Pocesta, Kërçishta, Klloboçishta, Popinara, Allajbegu, Majtara, Trebishta, Ostreni, Dobrova… fshatra këto që me ndryshimin e kufijve, kanë ngelur në anën tjetër të kufirit – në Shqipëri, edhe pse qyteti i tyre ka qenë Dibra.
Në bisedat që patëm me shumë dibran e të cilët sot mbajnë këta mbiemra, theksojnë se sipas të parëve të tyre, para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ata kanë patur mbiemra të tjerë e jo mbiemra me toponime të fshatrave. Gjinekologu i njohur dibran, Ferit Vojnika, i cili sot jeton moshën e tretë, tregon se dukuria në fjalë në lidhje me mbiemrat në Dibër, është një politikë e sistemit ish jugosllav. “Familja jonë, e cila ka ardhur në qytet para më shumë se 200 vitesh, i takon fisit Beça. Ne si familje faktikisht e kemi këtë mbiemër – Beça dhe jo Vojnika siç na e ka vënë sistemi Jugosllav, gjithmonë për çështje politike. Qëllimi i ndryshimit të mbiemrave pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë manipulimi me dibranët, se gjoja këta me mbiemra të toponimeve të fshatrave janë banorë ardhacak në Dibër. Vet paraqitjet e mëvonshme të përcaktimeve politike të mbiemrave i shkruan edhe Nijazi Limanoski në një libër të tij me të cilën tregon se gjoja – dibranët në pjesën më të madhe të tyre, janë të ardhur në qytetin e Dibrës nga Shqipëria, dhe sipas tij, në Dibër ka shumë pak vendas, kurse pjesa më e madhe janë ardhacak. Faktikisht kjo tregon edhe planet politike antishqiptare me vendosjen të toponimeve të fshatrave të Dibrës”, tregon Feriti.
Ai shton se politika antishqiptare ato vite ka qenë e fuqishme dhe në ato plane të sistemit komunist. Por, dr. Ferit Vojnika thekson se argumentet flasin të kundërtën vet. “A ka qytete pa fshatra, po ku janë fshatrat e Dibrës. Kufiri që është vendosur ndau fshatrat e Dibrës me qytetin e tyre. Prandaj edhe tezat antishqiptare i kanë futur në lojë toponimet e fshatrave”, thotë Vojnika.
Anëtarët e familjes Klloboçishta, të cilët sot janë në Dibër, mbiemrin e tyre dikur e kanë patur Miftari. Pas Luftës së Dytë Botërore, meqë prejardhja e tyre është nga fshati Klloboçisht – që gjenet në afërsi të kufirit në anën e Shqipërisë, nga institucionet komuniste në Dibër pa i pyetur kanë marrë mbiemrin e fshatit. Ashtu të gjithë familjes e fisit Miftari sot mbajnë mbiemrin Klloboçishta. Historiani i njohur dibran, Ramadan Imeri, thekson se ndryshimi i mbiemrave në kohën e Jugosllavisë ishte një manipulim politik. “Sistemi komunist me këto aktivitete ka pas për qëllim të tregoj, sipas tyre, se popullata në qytetin e Dibrës në pjesën më të madhe është e ardhur dhe shqiptarët autokton në qytet janë pakicë”, thotë Imeri, ndërsa shton se Dibra gjithmonë gjatë historisë ka qenë një qytet dhe një krahinë autoktone shqiptare. Më të moshuarit në Dibër tregojnë se ndryshimet e mbiemrave me toponime fshatare tregojnë presionet politike që kanë qenë prezent në rajonin e Dibrës. Edhe pse krahina e Dibrës është një krahinë e madhe, vetëm qyteti i Dibrës ka mbet i ndarë nga fshatrat që dikur ishin pjesë e saj. Sot, pjesa më e madhe e fshatrave kanë mbetur në anën tjetër të kufirit. (koha.mk)