Drejtësia dhe ligji deri tashti janë duke shërbyer si maja dhe brumi i ryshfetit, dhe jo sundimit i ligjit në shoqërinë tonë. T’jemi shëndoshë e mirë e ta kalojmë pandeminë botërore e pastaj doemos të përballemi me reformën e drejtësisë
Nga Shaqir ISLAMI
Në programin “Top Tema”, ndoqa një debat ku flitej për drejtësinë në vendin tonë dhe si duhet të riparohet kjo shtyllë e sakatuar e katër pushteteve në sistemin tonë shtetërorë. Ndonëse, shtyllat tjera të pushtetit nuk janë aspak në gjendje më të mirë të shëndetit! Dhe, mu kujtua një anekdotë për një gjyqtarë dhe një man, që qarkullon në çarshi dhe pazare qysh nga koha e komunizmit. Autori i saj, si zakonisht mbetet anonim dhe autorësia i përshkruhet ‘popullit’. Anekdotën e kam dëgjuar nga berberi i katundit, Haliti. Berberët janë rrëfyesit më të shkathët dhe më elokuent ndër të gjithë zanatçinjtë; por,ka edhe taksistë që rrëfejnë bukur. Zanatçinjtë, si berberi, nallbani, samarxhiu, bozaxhiu, taksisti… kanë qenë mediat që kanë ndihmuar rrjedhën dhe qarkullimin e informacionit mes katundarëve, po ashtu dhe qytetarëve.
Një gjyqtarë paska zbatuar drejtësinë mes dy komshinjve. Mes tyre paskësh pas një man. Komshinjtë paskëshin kundërshtuar shoqi-shoqin, se kujt i takon mani. Secili nga ta, dashka ta përvetësojë atë. Dhe kështu kanë kaluar vite e vite. Me dekada ka vazhduar procesi gjyqësor, se kujt i takon mani. Një ditë gjyqtari plak del në pension. Siç ndodh në sistemin e drejtësisë sonë, e zëvendëson i biri, gjyqtar. Dhe një ditë, vjen i biri-gjyqtar nga puna, dhe e tall dhe qorton gjyqtarin plak për mosdijen e të atit në zbatimin e ligjit dhe drejtësisë. Gjyqtar i ri, ia shpjegon babës-gjyqtarë se me sa lehtësi e ka zgjedhur problemin e manit të dy komshinjve, të cilin ai nuk e paskësh zgjidhur me dekada të tëra.
“E preva manin – i thotë babës gjyqtari ri. Kaq thjeshtë ishte rasti, ndërsa ti e paske zvarritur armiqësinë mes komshinjve për manin, për aq vite. Unë me lehtësinë më të madhe i binda të dy komshinjtë që ta presin manin dhe pas aq vitesh armiqësie mes tyre – i binda me fjalë të mira që të pajtohen dhe të jetojnë në paqe, si komshinj të mirë. Gjyqtari dinak pasi dëgjon deri në fund të birin, i përgjigjet me keqardhje dhe inat të thellë: “E paske dhjerë punën me manin. Unë të kam shkolluar me paratë e manit. Meqë, herë e bëja ‘hakli’ njërin, e herë tjetrin. Kush më jepte më shumë ryshfet e bëja ‘hakli’, dhe ligji ishte në anën e tij. Kështu i mjelsha të dy komshinjtë. Ndërsa pekmezin që ti e ke aq shumë merak, e kishim falas nga të dy komshinjtë.
Kjo anekdotë që buron nga urtësia dhe vuajtjet e popullit, flet bukur për zbatimin e ligjit nga sistemi i drejtësisë në vendin tonë. Kjo anekdotë pasqyron të gjitha të metat e zbatimit të ligjit dhe të sundimit të ryshfetit mbi ligjin. Pra shoqërinë tonë nuk e sundon ligji, por ligjin në shoqërinë tonë e zbaton ryshfeti. Këtë më së miri e kanë ndjerë shqiptarët më shumë se një shekull. Prandaj, sistemi i drejtësisë është i shpërfytyruar dhe aq i shëmtuar, sa që duhet gjetur ilaçin e duhur për ta shëruar këtë shëmti turpëruese. Sistemi i drejtësisë – deri dje – ishte një temë tabu. Askush nuk e përmendte, as e përziente, për shkak se dihej botërisht se në çfarë halli dhe derexhe ndodhej. Qeveria e parë e ZoranZaevit u detyrua që të ballafaqohet me sistemin e drejtësisë, me këmbënguljen e BE’së. BE na e dërgoiekspertin gjerman ReinhardPriebe ta bëjë një raport për sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
ReinhardPriebe për aq kohë të shkurtë hartoi një raport që e shashtrisiBE’në. Raporti parasheh dhe këshillon që të ndreqet dhe meremetohet urgjentisht sistemi i shpërfytyruar i drejtësisë në vendin tonë. Por, ndonëse qarkullojnë fjalë të buta dhe të matura kritike ndaj funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, asgjë konkrete nuk ndodh.
Qeveria e dytë e Zajevit akoma punon ‘ler’ dhe ‘vergllat’ në lidhje me këtë çështje jetike të shoqërisë sonë. Flitet për vullnetin politik të mirë dhe për frymën pozitive se reforma në drejtësi është njëra ndër emergjencat që kanë përparësi ndaj shumë reformave tjera që pritet ta ‘normalizojnë’ dhe ta humanizojnë këtë shtet karikaturë të deritashëm. Përndryshe, si do bëhet kjo shëmtirë-shtet anëtare e familjes europiane? Mbrëmë nga dy debatuesit e programit “Top Tema” të TV Telma – një avokat, të cilit nuk arrita t‘ia mbaj mend emrin – tingëllonte si gjyqtari rinë rastin e anekdotës. Shpresojmë, që të shfaqen sa më shumë individë të këtillë në zanatin e drejtësisë dhe të japin një pamje njerëzore sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Drejtësia dhe ligji deri tashti janë duke shërbyer si maja dhe brumi i ryshfetit, dhe jo sundimit i ligjit në shoqërinë tonë. T’jemi shëndoshë e mirë e ta kalojmë pandeminë botërore e pastaj doemos të përballemi me reformën e drejtësisë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)