Sulmuesi i Liverpulit, Sadio Mane, që ditën e shtunë u largua nga fusha me karton të kuq në humbjen turpëruese 0-5 që “reds” pësuan në fushën e Mançester Siti, është dënuar me 3 ndeshje nga komisioni i disiplinës pranë Federatës Angleze të Futbollit. Ndërhyrja e tij e rëndë karshi portierit të “qytetarëve” Ederson në fundin e pjesës së parë është konsideruar e rëndë nga komisioni, që i ka dhënë një dënim ekzemplar sulmuesit.
Portieri i Mançester Siti u largua me barelë nga fusha dhe mbante në fytyrë një maskë që e ndihmonte për të marrë frymë pas goditjes me shkelm që Mane i bëri në fytyrë, në përpjekje për të kapur topin. Ky vendim i Federatës do të apelohet nga skuadra e Liverpulit, që ka bërë me dije se kartoni i kuq dhe dënimi me 3 ndeshje është i tepruar, pasi lojtari nuk e pa portierin. Skuadra e Klopp shpreson që dënimi të ulet në 1 apo 2 ndeshje.