Është një kampion në fushë, por edhe jashtë saj. Bëhet fjalë për sulmuesin e Liverpoolit, Sadio Mane, i cili aktualisht është me pushime, por i ka ndërprerë ato për të bërë një vizitë në fshatin e tij të lindjes, në Bambali të Senegalit.
Sulmuesi ka financuar me plot 280 mijë euro, ndërtimin e një shkolle model në fshatin e tij, për t’u dhënë mundësi të gjithë fëmijëve dhe të rinjve të zonës, që të mund të marrin dije në kushte mjaft të mira.
Sadio Mane ishte në Bambali pikërisht për të ndjekur ecurinë e punimeve në këtë shkollë, ndërsa më herët sulmuesi i “The reds” ka sponsorizuar edhe rikonstruksionin e një spitali në këtë zonë.
Futbollisti është përfshirë shpesh në akte bamirësie në fshatin e tij të lindjes, por gjithmonë ka qëndruar larg vëmendjes së mediave, duke theksuar se gjithçka e bën me zemër dhe jo për të ngritur imazhin e tij.