Të gjithë e mbajnë mend fotografin meksikan Yuri Cortez, i cili u përfshi në festën e “çmendur” kroate, pasi Mandzukiç shënoi golin e dytë ndaj Anglisë, në minutat shtesë dhe siguroi kalimin e skuadrës në finale. Sulmuesi kroat i Juventusit vrapoi drejt aparatit për të festuar, por mbërritja aty e futbollistëve të tjerë, bëri që në gëzim e sipër, lojtarët kroatë të binin mbi reporterin meksikan. Pasi i kërkoi ndjesë edhe publikisht, tashmë Mario Mandzukiç ka menduar t’i dhurojë dy bluza të kombëtares kroate, meksikanit Cortez, njërën me numrin 17 të sulmuesit të Juventusit dhe tjetrën me numrin 10, por me emrin Cortez në shpinë dhe jo atë të Luka Modriç. Ka qenë vetë fotografi meksikan që ka zbuluar këto dhurata të veçanta në rrjetet sociale, duke shpalosur me krenari edhe bluzën e Kroacisë me emrin e tij.