E quajnë derbi i Italisë, por ky është etiketim i padrejtë: Juventus-Inter është një kuzhinë ku gatuhen edhe pjata ndërkombëtare të një cilësie të lartë. Të dielën në mbrëmje, në Torino, do të jenë të shumtë lojtarët e huaj të nivelit të lartë, të cilët do të zbresin në fushë. Disa do të jenë përballë njëri-tjetrit si kundërshtarë, pasi kanë veshur bashkë fanellën e vendit të tyre, të tjerë do të kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë rast për të bindur trajnerët e kombëtareve respektive që të besojnë tek ata. Sepse vitrina si kjo, nëse luan në Serinë A, nuk vijnë shpesh.
Sulmuesit Kroatë – Një nga përplasjet më interesante do të jetë ajo mes dy kroatëve. Në kombëtare Perisic jep krosime në zonë për Mandzukic, i cili është qendërsulmuesi i bardhekuqve. Me klubin gjërat shkojnë ndryshe: Ivan-it i është kërkuar një sakrificë e ngjashme me atë të bërë nga Eto’o në vitin e “tripletës”, ose më saktë që të mbulojë krahun nga sulmi në mbrojtje, ndërsa Mario është kthyer në një sulmues krahu në skemën4-2-3-1. Kësaj dysheje i shtohet Brozovic, i cili luan në qendër të mesfushës.
Vamos Argentina – Por problemi më i vështirë për t’u zgjidhur ka të bëjë me Argjentinën. Më saktësisht, ka të bëjë me sulmin. Yje si Higuain, Dybala dhe Icardi do të ishin titullar në çdo kombëtare tjetër, por te “Albiceleste” kanë një konkurrencë të frikshme. Në Argjentinë, një pjesë mendon se Dybala duhet të luajë në krah të Higuain në sulm, por trajneri Bauza, në këto ditë, ka pranuar se ekziston mundësia që Icardi të grumbullohet me kombëtaren. Dhe të dielën Bauza është i pritur në Torino.
Samba Bardhezikaltër – Do të jetë e përfaqësuar Argjentina, por edhe Brazili në derbin e Italisë, pasi Miranda dhe Daniel Alves janë prej kohësh lojtarë kyç të mbrojtjes “karioka”. Për arsye që nuk kuptohen, trajneri Tite nuk e preferon Alex Sandro-n, por pas dëmtimit të Marcelo-s, juventini do të provojë t’ia ndryshojë mendimin. Shijen e kombëtares e ka provuar edhe Gabigol, i cili ka pasur dhe ka shumë vështirësi për t;u përshtatur te zikaltrit.
Kolumbianët – Nuk duhet nënvlerësuar as ndikimi që mund të kenë Cuadrado dhe Murillo në këtë ndeshje. Juan di të ndryshojë ritmin gjatë ndeshjes dhe sistemi i ri i lojës, i përdorur nga Allegri, i krijon atij më shumë hapësira në krahun e djathtë. Jeison, nga ana tjetër, është i aftë të bëjë gjithçka, për mirë dhe për keq. Nuk përjashtohet një duel direkt kur Cuadrado të depërtojë në qendër.
Djemtë e Ventura-s – Në fund janë ata që përfaqësojnë kombëtaren e Italisë. Jo vetëm “BBC” e Juventus (Barzagli, Bonucci, Chiellini), por edhe dy mesfushorë si Gagliardini, në rritje të vazhdueshme, por edhe Marchisio, me vendin e këtij të fundit te “axurrët” që kërcënohet pikërisht nga i riu i zikaltërve. Për ish-lojtarin e Atalanta-s kjo do të jetë provimi i pjekurisë dhe komisioni që do ta gjykojë nuk do ketë mëshirë.