Shkup, 1 shkurt – Mendimi parimor juridik nga Gjykata supreme lidhur me punën e Prokurorisë speciale publike ka hapur shumë debate rreth së drejtës së udhëheqjes së veprimeve parahetimore dhe hetimore, të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes joligjore të komunikimeve.
Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë, Lubomir Joveski dhe prokurorja speciale publike, Katica Janeva, dje dolën me qëndrim se veprimi sipas lëndëve të PSP-së do të vazhdojë në pajtim me rregullat pozitive ligjore.
Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, lidhur me mendimi e tillë, tha se asnjë krim nuk duhet të mbetet i pa ndëshkuar, nuk mund të kërkohen arsye procedurale për veprim të atillë apo të këtillë me qëllim të shmanget përgjegjësia dhe ka shprehur pritje që Prokuroria Publike të vazhdojë me ndjekjen, pa marrë parasysh se cili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm i tyre.
“Me ligj nuk do të lejojmë amnistinë e krimit. Me asnjë dispozitë ligjore, që do të thotë mbyllje të hetimeve me qëllim që të mos ketë ndjekje të mëtejshme nga cilido, qoftë nga PSP-ja, qoftë nga Prokuroria për krim të organizuar”, tha Deskoska.
Sipas prokurores publike, Vilma Ruskoska, në pajtim me ligjin ekzistues, prokuroria publike nuk mund të kërkojë t’i ndërmarrë lëndët nga PSP-ja.
“Nëse nuk na dorëzojnë, ne sipas Ligjit që ende vlen për Prokurorinë Speciale Publike, nuk mund t’i kërkojmë dhe t’i ndërmarrim lëndët”, deklaroi Ruskoska.
Lidhur me atë nëse bisedat e përgjuara do të jenë dëshmi edhe të prokurorisë publike nëse ajo i ndërmerr rastet, tha se nuk ka shkak se pse të mos jenë dhe përkujtoi se me vendim të Gjykatës së Apelit ato kanë mbetur dëshmi në lëndët.
“Nuk ka pse ai vendim të mos vlejë, nuk është me rëndësi kush vepron sipas lëndës dhe cila prokurori. Të gjithë jemi prokurorë dhe vendimi i gjykatës është vendim i gjykatës”, tha Ruskoska.
Mundësitë për veprim të mëtejshëm sipas lëndëve, për të cilat vepron Prokuroria publike për ndjekjen e veprave penale, të lidhura dhe të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes joligjore të komunikimeve, janë shqyrtuar në takimin e djeshëm të prokurorit publik shtetëror Lubomir Joveski dhe prokurores speciale publike, Katica Janeva.
Joveski dhe Janeva u pajtuan që veprimi për këto dy lëndë të vazhdojë në pajtim me rregullat pozitive ligjore. (koha.mk)