Nuk është vetëm Paul Pogba, ylli i skuadrës së njohur angleze, që dëshiron largimin. David De Gea ka hedhur poshtë ofertën përfundimtare të Manchester United për një kontratë të re, raporton “The Sun”. Portieri spanjoll iu përmbahet kërkesave të tij për pagë prej 350.000 stërlina në javë, në mënyrë që të zgjasë qëndrimin e tij në “Old Trafford”. Kërkesa të tilla, duke iu referuar paraqitjes së spanjollit në sezonin e fundit, konsiderohen të ekzagjeruara nga drejtuesit e “Djajve të Kuq”.
Megjithatë, merret me mend se pas të tilla pengesave financiare qëndron dëshira e De Gea për t’u larguar nga klubi anglez. PSG po planifikon një ofertë 60 milionë stërlina në merkaton e kësaj vere, ose mund të zgjedhë të nënshkruajë me 28-vjeçarin falas, pas një viti. Qëndrimi i De Gea është një tjetër goditje për misionin që ka marrë përsipër Ole Gunnar Solskjaer.
Spanjolli ishte lojtari i vitit i klubit të tij në katër nga gjashtë sezonet e fundit, por forma e tij e sezonit të fundit duket se u ndikua nga pasiguria për të ardhmen. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” duan ta rindërtojnë ekipin me lojtarë të rinj, por të uritur për sukses, në vend që të nënshkruajnë marreveshje kaq të kushtueshme.