Zlatan Ibrahimovic nuk është më lojtar i Manchester United. Prej kohësh përflitej për një largim të sulmuesit suedez nga “Djajtë e Kuq”, por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi nga ana e klubit anglez, i cili e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në faqen zyrtare të skuadrës. “Manchester United konfirmon se ka arritur akordin për mbylljen e kontratës me Zlatan Ibrahimovic me efekt të menjëhershëm. Të gjithë në klub duan të falënderojnë Zlatan për kontributin e tij në skuadër që pas ardhjes dhe duke i uruar më të mirat për të ardhmen” – shkruhet në komunikatën e Manchester United.
36-vjeçari tashmë është një lojtar i lirë dhe mund të nisë bisedimet me cilindo ekip. Hipoteza më e mundshme është që sulmuesi të transferohet në Major League Soccer, me disa klube që kanë shfaqur interes për të, por që në “pole position”qëndron Los Angeles Galaxy. Gjigandi suedez u transferua për herë të parë në “Old Trafford” në vitin 2016, dhe në 53 ndeshje të luajtura në total me fanellën e United ka shënuar 29 gola, por ka luajtur vetëm në 7 ndeshje që pas dëmtimit të rëndë të pësuar në muajin Prill, nga një dëmtim që gjithsesi u rikuperua në kohë rekord. Kontrata aktuale e Ibrahimovic skadonte në fund të këtij sezoni dhe palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit mes tyre.