Nuk mjafton vetëm ecuria negative në Premier Ligën angleze dhe loja që lë shumë për të dëshiruar, në Ligën e Kampioneve, por presioni mbi skuadrën e Manchester United mund të shtohet me kalendarin, që është gati-gati brutal.
Jose Mourinho nuk i kurseu kritikat dhe shpërthimin ndaj ekipit për barazimin ndaj Valencias në Champions, por në ditët në vazhdim, janë programuar ndeshje të vështira që mund të përkeqësojnë situatën akoma më shumë brenda grupit.
Starti më i keq sezonal i “Djajve të Kuq” në 29 vjet, u pasurua me ndalesën europiane. Manchester United mban vendin e 10 në kampionat dhe është 9 pikë më pak se rivalët e Manchester City, ndërsa nuk fiton në “Old Traford” që nga dita e parë e sezonit dhe kalendari duket se nuk do të ketë mëshirë.
Në 6 Tetor United luan ndaj Newcastle dhe më pas impenjohet ndaj Chelsea në Premier League dhe ndaj Juventusit në Champions. Everton dhe Bournemouth janë dy kundërshtarë në dukje të lehtë, që pasohen nga përballja e kthimit ndaj Juventus, e më pas në 11 Nëntor do të zhvillohet derbi ndaj Manchester City.
Shumëkush beson se trajneri Mourinho nuk do t’i mbijetojë dimrit në “Old Traford”, madje legjenda të klubit si Paul Scholes, janë surprizuar se pse portugezi ka mbijetuar kaq gjatë pas përplasjeve me lojtarët dhe rezultateve negative.