UEFA Champions League rikthehet këtë të martë me raundin e tretë të ndeshjeve në grupet E,F,G dhe H. Spikat padiskutim supersfida e Old Trafford mes Manchester United dhe Juventusit. Në teatrin e ëndrrave, luhet për kreun e grupit H.
Cristiano Ronaldo do të sfidojë sërish skuadrën ku u bë i famshëm si futbollist këtë herë me një tjetër fanellë mbi shpinë. United ka dy pikë më pak se bardhezinjtë dhe nëse Djajtë e Kuq duan të ngjiten në krye të grupit duhet të fitojnë me çdo kusht sot. Alexis Sanchez dhe Marcos Rojo dhe portugezi i talentuar Dalot janë tre mungesat e sigurta të Djajëve të Kuq në këtë sfidë. Edhe Juvja ka probleme me dëmtimet pasi Mario Mandzukic, Sami Khedira e Emre Can nuk do të jenë pjesë e kësaj supersfide.
Ndeshja tjetër e këtij grupi ajo mes zviceranëve të Young Boys dhe Valencias do të luhet në orën 18:55, me spanjollët që janë dukshëm favoritë për të marrë fitoren e parë në grup.
Në grupin E, Bayern Munich synon të bëjë autokritikë pas barazimit ndaj Ajaxit në shtëpi. Në orën 18:55 baverezët do të sfidojnë në Athinë AEK-un vendas me një objektiv të vetëm të marrin tre pikët për të hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit.
Në sfidën tjetër të këtij grupi që luhet në orën 21:00, Ajaxi pret në Amsterdam Benfican, një sfidë mes dy skuadrave të barabarta në letër.
Në grupin F, Manchester City e ka detyrim fitoren në transfertën ukrainase ndaj Shakthar Donetsk pas humbjes që pësoi në sfidën e parë ndaj Lyonit, në takimin tjetër Hoffenheim pret në shtëpi pikërisht skuadrën franceze që ka marrë 4 pikë në dy ndeshjet e para.
Në grupin G Reali i Madridit pret në shtëpi Viktoria Plzen në një ndeshje ku Los Blancos duhet të bëjnë kthesën për të larguar disi krizën që i ka përfshirë. Në takimin tjetër Roma pret CSKA-në e Moskës me italianët që pavarsisht humbjes në fundjavë në shtëpi ndaj Spal janë favoritë për të marrë tre pikët.