Shkup, 26 shkurt – Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski, i cili merr pjesë në konferencën globale për sigurinë kibernetike në Londër, në panelin dedikuar progresit kombëtar dhe rajonal vlerësoi që vendi me integrimin euroatlantik po bëhet objektivi gjithnjë e më tërheqës për krimin kibernetik dhe tashmë ka miratuar një strategji dhe plan veprimi për këtë çështje, përcjellë gazeta KOHA.
“Me hyrjen në NATO, dhe së shpejti në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë Veriore po bëhet objektiv më tërheqës për krimin kibernetik. Sigurisht, siguria kibernetike është bërë një nga prioritetet kyçe për Qeverinë, veçanërisht për ministritë dikasteriale përgjegjëse për sigurinë kibernetike kombëtare. Kombinimi i vullnetit të fortë politik dhe dhënies prioritet ndërtimit të kapaciteteve të sigurisë kibernetike me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë ka rezultuar në arritje të rëndësishme vitin e kaluar. Për herë të parë në një proces gjithëpërfshirës, kemi përpiluar një Strategji dhe Plan veprimi për sigurinë kibernetike”, tha Mançevski, kumton MSHIA.
Sipas tij, është e nevojshme të investohet në pajisjen dhe forcimin e kapaciteteve të njerëzve, punonjësve në administratën publike, por edhe në bashkësinë e biznesit, sepse askush nuk është imun ndaj sulmeve kibernetike.
Fokusi i konferencës së këtij viti është në ndërtimin e kapaciteteve globale për sigurinë kibernetike në pesë vitet e ardhshme. Pyetjet kryesore që u hapën në konferencë ishin: Cilat janë kërcënimet e reja? Me cilat sfida do të përballen me vendet? Sa vende kanë kapacitet për siguri kibernetike dhe se si kjo do të rezultojë në ndërtimin e kapaciteteve për të luftuar krimin kibernetik. (koha.mk)