Mançevski: Punësimet nuk kanë kurrfarë lidhje me zgjedhjet e paralajmëruara

Punësime ka pasur dhe do të ketë dhe ato janë në pajtim me programet vjetore dhe nevojat e institucioneve. Nuk kanë kurrfarë lidhje me zgjedhjet. Bëhet fjalë për aktivitet të rregullt që ka ndodhur edhe kur nuk kishte paralajmërime për zgjedhje, deklaroi sot ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me shpalljet e reja për punësim, Mançevski tha se bëhet fjalë për aktivitet të rregullt që ndodh çdo vit dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet e paralajmëruara.

“Punësimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe kjo ka ndodhur edhe kur nuk kishte zgjedhje të paralajmëruara”, theksoi Mançevski, duke sqaruar se në fund të çdo viti ka ndërprerje të të gjitha marrëveshjeve për një kohë të caktuar, sepse ato janë planifikuar me buxhetin për atë vit, por që për vitin e ardhshëm përderisa institucionet kanë nevojë, do të publikohen shpallje të reja për punësim për një kohë të caktuar.