Shkup, 3 tetor – Këmbim i përvojave dhe vendimeve praktike lidhur me zbatimin e procesit të Partneritetit të hapur qeveritar (PHQ) në vendet e rajonit, njohje me trendet e reja përmes prezantimeve të iniciativave rajonale, si dhe definimi i sferave në të cilat do të ndërmerren masa të përbashkëta në të ardhmen është qëllimi i panel diskutimit në nivel të lartë që mbahet në Budvë, Mal i Zi, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Siç kumtuan nga MSHIA, në fjalimin e tij, Mançevski potencoi se përmes konceptit të transparencës dhe llogaridhënies, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut arriti t’i përafrojë institucionet deri tek qytetarët, ashtu që ata janë përfshirë në proceset e krijimit të të gjitha politikave qeveritare.
“Parakusht themelor që ky proces të jetë i suksesshëm është besimi i qytetarëve në institucione. Këtë e bëjmë përmes transparencës aktive të të dhënave. Me këtë qëllim e kemi hapur edhe portalin e ri për të dhëna të hapura. Numri i të dhënave të disponueshme për momentin është 215 nga më shumë se 48 institucione. Kjo është më shumë se aq që është paraparë në Planin e akcizës. Përmes portalit duam ta përmirësojmë dërgesën e shërbimeve dhe efikasitetin e sektorit publik. Ai gjithashtu mundëson të rritet pjesëmarrja e qytetarëve gjatë krijimit të politikave dhe gjatë analizës së rezultateve të dorëzuara. Me një fjalë, përmes portalit për të dhëna të hapura e sjellim transparencën e institucioneve në një nivel më të lartë. Hapja e të dhënave direkt dhe pozitivisht do të ndihmojë edhe në përpjekjet për luftë kundër korrupsionit. Gjithashtu, me pak inovacion, jep mundësi për hapjen e bizneseve të reja”, ka thënë ministri Mançevski.
Në kontekst të hapjes së të dhënave, Mançevski shtoi se Qeveria ka vendosur politika përmes softuerit për t’i publikuar të gjitha shpenzimet e ministrave, zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë. Në këtë mënyrë, theksoi, qytetarët kanë pasqyrë të qartë për atë si shpenzohen paratë e tyre.
Ngjarja dyditore në Budvë është organizuar në bashkëpunim midis iniciativës RHQ, ReSPA (Shkolla rajonale për administratë publike) dhe qeverive të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut.
Në panel, fjalim patën edhe ministrja e Administratës Publike të Malit të Zi, Suzana Pribiloviq, ministri i Drejtësisë i Bosnje e Hercegovinës Josip Grubesha, Pol Masen udhëheqës i Programit për mbështetje të vendeve për Partneritet të hapur qeveritar, si dhe Goran Pastroviq, menaxher i programit nga ReSpa, qëndron në kumtesë.(koha.mk)