Në Maqedoni ende ekzistojnë institucione të cilat nuk kanë në rend të parë transparencën dhe llogaridhënien. Kjo u tha në konferencën “e-shoqëria.mk”.
Ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, tha se digjitalizimi është një nga mekanizmat kryesore përmes të cilave institucionet mund të jenë më transparente dhe të japin më shumë llogari për qytetarët. Ai gjithashtu informoi se është krijuar “E-portali” përmes të cilit, sipas tij, shërbimet institucionale do të afrohen më afër qytetarëve, e jo qytetarët ndaj shërbimeve.
“Edhe ne kemi probleme me përfaqësues të institucioneve të cilët nuk e kuptojnë poentën e transparencës dhe të cilat janë benefitet nëse vetë janë më të hapur për dhënie të informacioneve. Në kontekst të asaj po e paralajmëroj se deri në fund të muajit do ta lëshojmë në përdorim portalin e ri për të dhëna të hapura, pra është krijuar dhe sot në seancë qeveritare do ta prezantojmë para ministrave që të shohin se çka do të thotë ajo dhe si do të munden ta shfrytëzojnë”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
Teknologjitë e reja, sipas Mançevskit, u japin përfshirje më të madhe edhe qytetarëve në krijimin e politikave. Por, theksoi se procesi i digjitalizimit nuk mund të ndodhë përnjëherë dhe për të nevojitet debat, kohë, por edhe financa.
“Këto debate na japin drejtime se ku duhet të lëvizim në përpjekjet tona për digjitalizim. Digjitalizimi do të kushtojë shtrenjtë dhe do të zgjasë, ashtu që duhet t’i kemi të gjitha informacionet e nevojshme dhe duhet të ketë konsensus mes të gjithë të përfshirëve në mënyrë që të jemi efikasë”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
Në konferencën “e-shoqëri.mk” u theksua se Maqedonia në rang listën për aftësi mediatike, transparencë dhe llogaridhënie gjendet në vendin e 35, më të keq në raport me shtetet tjera të Ballkanit.