Shkup, 17 maj – Konkluzionet nga Samiti i parë digjital, që vetëm para një muaji u mbajt në Shkup, tani më janë pjesë e agjendës së Bashkimit Evropian, në kontekst të mbështetjes dhe avancimit të transformimit digjital në vendet e Ballkanit Perëndimor, porositi sot në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.
“Eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han nga samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, informoi se iniciativat për agjendën digjitale dhe lidhja më e madhe në rajon do të financohen me më shumë se 200 milionë euro. Në fokus të këtyre masave është ulja e shpenzimeve për roaming, përmirësimi i internetit me shtrirje të gjerë, zhvillimi i e-Qeverisë si dhe digjitalizimi i industrisë”, tha Mançevski në fjalimin e tij.
Ky, theksoi, është një konfirmim i fuqishëm se aktivitetet të cilat periudhën e fundit i ndërmerr Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) dhe Qeveria, në drejtim të tërë digjitalizimit të Maqedonisë, hasin në mbështetje të BE-së.
“Vetëm me bashkëpunimin rajonal në të cilin u obliguan në Samitin digjital, do të arrijmë transformim dhe lidhje të rajonit dhe kjo është mënyra e vetme për hyrje në BE”, theksoi Mançevski,
Ai shtoi se MSHIA, me rastin e 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Telekomunikimeve dhe Shoqërisë Informatike edhe njëherë zotohet për realizimin e të gjitha aktiviteteve të paralajmëruara në sferën e shoqërisë informatike.
“Në periudhën në vijim do t’i publikojmë strategjitë kombëtare për internet me shtrirje të gjerë dhe për siguri kibernetike, ndërsa deri në fund të vitit do ta publikojmë edhe strategjinë afatgjate për TIK. Në muajin gusht, MSHIA do t’i lëshojë në përdorim portalin kombëtar për e-shërbime dhe portalin e ri për të dhëna të hapura. Ajo që është më se e rëndësishme për të gjithë qytetarët është se shërbimet përfundimtare i sjellim deri tek shtëpitë e tyre. Dokumentet e kërkuara më së shpeshti, qytetarët do të mund t’i marrin në mënyrë elektronike, shpejtë, thjeshtë dhe lirë”, theksoi Mançevski.
Përmes digjitalizimit dhe profesionalizimit të administratës, potencoi, përfundimisht qytetarët do të kenë institucione të cilat janë servis i tyre dhe u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të tyre.