Shkup, 8 maj – Këshilltarët e kryeministrit i zgjedh vetë ai. Numri i tyre dukshëm është ulur për dallim nga më parë, ndërsa disa prej tyre janë të angazhuar pas kurrfarë kompensimi financiar, deklaroi sot ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve rreth listës më të re për angazhimin e 56 këshilltarëve në Qeveri, ministri Mançevski tha se në këtë rast aspak nuk bëhet fjalë për administratë, por për këshilltarë të kryeministrit.
“Kompensimi që është dakorduar për Xhezair Shaqirin është dakorduar midis tij dhe Kabinetit të kryeministrit ashtu që nuk ka diçka për t’u çuditur në këtë, as nuk është një praktikë e re. Përkundrazi dukshëm është ulur numri i këshilltarëve dhe për dallim nga më parë ,kur këshilltarët janë paguar shumë më shumë, tani disa prej tyre, punojnë pa kurrfarë kompensimi financiar”, thekson Mançevski.