Shkup, 19 prill – Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski sot deklaroi se nuk ka informacione konkrete për punësimin e vajzës së kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe djalit të Mirosllav Gërçevit në kompaninë shtetërore ELEM, por theksoi se nëse diçka nuk është në pajtim me Ligjin menjëherë do të reagohet.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëse ka nepotizëm gjatë këtyre punësimeve, Maçevski tha se si edhe procedurat е tjera për punësim edhe këto duhet të jenë në përputhje me procedurat dhe dispozitat ligjore.
“Tjetër është procedura nëse bëhet fjalë për punësim për kohë të papërcaktuar, ndërsa tjetër është procedura për punësime të përkohshme. Do t’i shohim cilat janë procedurat konkrete që i kanë zbatuar dhe nëse diçka nuk është në pajtim me ligjin menjëherë do të reagohet. Kemi institucione për këtë”, tha Mançevski, duke iu përgjigjur pyetjeve në konferencën përfundimtare të Samtit Digjital për Ballkanin Perëndimor në Shkup.