Mançesteri vihet pas Kasemiros

Karlos Henrike Kasemiro apo i njohur vetëm si Kasemiro ka përfunduar në radarin e gjigantit anglez, Mançester Junajtedit. Mesfushori brazilian është njëri nga më të mirët dhe më meritorët për titujt e fituar në dy sezonet e fundit nga Real Madridi.  Paraqitjet e tij mbresëlënëse me ekipin mbretëror kanë bërë që shumë skuadra të mëdha evropiane të vihen pas shërbimeve të tij. Sipas mediumit spanjoll “Don Balon”, “Djajtë e Kuq” duan transferimin e tij, pasi trajneri Jose Muurinjo e sheh shumë të rëndësishëm për balancat e skuadrës së tij, teksa mendon t’i ofrojë pagë të njëjtë sa të yllit francez, Pol Pogba.

Megjithatë, Kasemiro vështirë se pranon të largohet nga “Santiago Bernabeu”, pasi është titullar i rregullt i skuadrës së Zinedin Zidan dhe pjesë e rëndësishme e projektit afatgjatë të klubit. Gjithashtu mesfushori brazilian është shumë i lumtur në Madrid dhe nuk dëshiron të largohet, megjithëse është i vetëdijshëm se skuadrat tjera mund t’i ofrojnë një pagë më të mirë se Reali. Për Kasemiron interesant të madh më herët kishte shprehur edhe gjiganti francez, Paris Sen-Zhermen, që u munduan ta joshin me një pagë të lart për ta transferuar atë në afatin që shkoi.  Thuhet se braziliani ishte propozim i bashkëkombësit të tij, Nejmar, por ky propozim ishte hedhur poshtë nga drejtuesit e Los Blancos.