Mançester Junajtedi dhe Hoze Murinjo do të nënshkruajnë kontratën e re të bashkëpunimit. “The Sun” bën me dije se klubi i “Djajve të Kuq” dëshiron të blindojë trajnerin portugez të cilit i ka ofruar 65 milionë sterlina për pesë vjet. Një shifër marramendëse e cila pritet ta bindë “Special One” të nënshkruajë kontratën më të gjatë të karrierës së tij në drejtim klubi. Murinjo, 54-vjeç është menaxheri më i paguar në botën e futbollit së bashku me kolegun e tij te Mançester Sitit Pep Guardiola, të dy marrin 250 mijë sterlina në javë. Në sezonin e parë me Junajted, edhe pse nuk arriti në katër vendet e para të renditjes së Premier Ligë, Murinjo ia doli ta rikthejë skuadrën në “Champions League” falë triumfit në finalen e Liga Evropës ndaj Ajaksit. Ndërkohë gjatë verës, “Djajtë e Kuq” kanë bërë një merkato të rëndësishme e cila solli mes të tjerëve në “Old Trafford” emra të spikatur si Luaku dhe Matiç. Në dëshirat e Murinjos ishte edhe Ivan Perishiç i Interit, por ky i fundit i rezistoi këmbënguljes të Junajted duke e mbajtur lojtarin kroat në Milanon zikaltër. Mançester Junajted po fluturon këtë sezon. “Djajtë” kanë grumbulluar 19 pikë në shtatë javë kampionat duke u pozicionuar në vendin e dytë të renditjes që kryesohet nga Mançester Siti me pikë të barabarta, por me një golaverazh më të mirë. Edhe në “Champions League”, skuadra e portugezit ka korrur dy fitore në dy javët e para dhe kryeson Grupin A me 6 pikë.