Po hyjmë në sezonin e manave! Ky frut i ëmbël, në ngjyra të ndryshme dhe me dobi të jashtëzakonshme për trupin e njeriut. E kujt s’i ka ndodhur një herë të paktën që të kacavirret në një pemë mani për të shijuar frutat e shijshëm të tij. Ky frut, përveçse konsumohet i freskët, përdoret dhe për të bërë reçelëra, shurupe dhe raki në disa zona të vendit. Përpos qindra llojeve që ka familja e manit “moraceae”, tre prej tyre janë më të rëndësishmit, mani i zi, ai i bardhë dhe ai i kuq. Më i përhapuri në vendin tonë është mani i bardhë i cili mbart dhe vlerat më të larta ushqyese. Janë të pasur me flavonoidë dhe me substanca që luftojnë inflamacionin dhe kancerin. Antioksidantët e shumtë që gjenden tek manat e bardhë (si edhe tek qitro) janë antibiotikë natyralë. Manat e bardhë, të pasur me hekur dhe vitaminë C, janë të fuqishëm në luftën kundër plakjes, madje ulin rrezikun e atakut në zemër. Këto fruta plot tul të shijshëm, kanë pak kalori (43 kalori në 100 gramë). Ky lloj mani përmban gjithashtu dhe resveratrol, i cili është një antioksidant që mbron zemrën e njeriu nga sulmet e mundshme. Një tjetër përfitim që njeriu mund të marrë njeriu nga mani është dhe mbrojtja e syrit, retinës nga rrezet ultraviolet . Po kështu ky frut është dhe një burim i mirë i hekurit.