Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu, ishte e ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, ku ka folur për procesin e vaksinimit në Shqipëri.
Ajo u shpreh se sot Shqipëria shkon në 300 mijë të vaksinuar, duke iu afruar kështu synimit se në fund të majit do të jenë 500 mijë të vaksinuar.
Ministrja e ka cilësuar këtë vit si sfidues, por theksoi se, falë punës së bërë, është arritur ajo që ishte premtuar.
Manastirliu ka cekur edhe rënien e qëndrueshme të infektimeve ditore.
“Është vënë re një ulje e shtrimeve në spital. Ditën e djeshme patëm më pak se 200 shtrime në të gjithë spitalet, po ashtu dhe në ato rajonale”, tha ministrja në deklaratën e saj.
Ajo ka bërë thirrje që të mos ulet vigjilenca dhe të zbatohen rregullat, pavarësisht se situata epidemike është nën kontroll.
Sipas ministres, Shqipëria ishte ndër vendet e dyta në Ballkan, për sa i përket procesit të vaksinimit.
Ajo ka bërë të ditur se ka disponibilitet vaksinash dhe se janë kontraktuar mbi 1 milion doza.
Ministrja ceku edhe hapjen e sezonit turistik në Shqipëri, ku u shpreh se që sezoni turistik të jetë i lehtësuar nga masat, do vijohet të krijohen bazat për të vaksinuar të gjithë punonjësit e sistemit të hotelerizmit.
“Kemi një plan konkret me këtë, ne duam ta fillojmë që këtë fundjavë, për të vijuar me vaksinimin masiv të të gjithë atyre që shërbejnë në hoteleri”, finalizoi ajo deklaratën e saj.