Laura PAPRANIKU
Shkup, 26 gusht – Të gjithë nxënësit shqiptarë që kryejnë arsimin fillor në qytetin e Manastirit treten në paralelet maqedonase të shkollave të mesme. Jo që nuk ka numër të mjaftueshëm nxënësish për formimin e paraleleve shqipe në nivelin e arsimit të mesëm, por sipas njohësve të mirë të arsimit në këtë anë, nuk ka angazhim serioz për të mundësuar një gjë të tillë, shkruan gazeta KOHA. Në radhë të parë, drejtimet e paraleleve shqipe, të cilat caktohen me Konkursin e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk janë adekuate, thotë Izet Josufi, arsimtarë në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Manastir. Vetëm nga kjo shkollë, në qershor e mbaruan shkollimin nëntëvjeçar 30 nxënës, pohon ai, ndërsa thotë se janë të paktën edhe 40 gjysmëmaturantë të tjerë shqiptarë që kanë përfunduar arsimin fillor këtë vit në disa shkolla të tjera fillore. Në këtë përllogaritje nuk bëjnë pjesë nxënësit e shkollës fillore në fshatin Kishavë, apo e nxënësve tjerë që mund të kenë kryer edhe arsimin fillor në gjuhën maqedonase. Sipas Josufit, derisa në Manastir nuk rregullohet siç duhet arsimi fillor, është iluzion të pritet formimi i paraleleve shqipe në arsimin e mesëm.
“Fillimisht duhet që arsimi fillor të kthehet aty ku ishte deri në vitin 1978, pra që nxënësit shqiptarë të mos shpërndahen në disa shkolla, sepse kështu të shpërndarë – maqedonasit e kanë shumë më të lehtë të ndikojnë tek prindërit duke i orientuar ata te paralelet maqedonase të shkollave të mesme. Kur të ketë një shkollë fillore në gjuhën shqipe, me të gjitha strukturat që i ka një institucion arsimor, atëherë do të jetë shumë e lehtë që të bëhet edhe orientimi i nxënësve në paralelet shqipe të shkollave të mesme”, konsideron ai. Kështu, si është situata aktualisht, duke punësuar në shkollat fillore shqipe arsimtarë maqedonas që nuk dinë asnjë fjalë shqip, nuk ka gjasa të shkohet më tej, sqaron Josufi. Këtu e sheh problemin edhe gazetari Qanan Hasani. Prindërit, thotë ai, janë të dëshpëruar. “Derisa MASH nuk u qëndron prapa paraleleve shqipe në arsimin fillor, s’ka se si të besojnë se do t’ju qëndron pas paraleleve të shkollave të mesme. Sa për mësim në gjuhën maqedonase, i regjistrojnë më parë fëmijët në gjuhën maqedonase. Kjo, fatkeqësisht është duke ndodhur në Manastir tani e disa vite me radhë”, shprehet për KOHA Hasani. Ai, madje vëren edhe një lojë tjetër të shëmtuar. “Që të joshin sa më tepër nxënës në paralelet maqedonase, gjatë regjistrimit ulen kriteret e pranimit për nxënësit shqiptarë. Nuk veprohet kështu me kriterin e pikëve për paralelet shqipe”. Pastaj, agjitacioni që bëhet për regjistrimin e shqiptarëve në paralelet maqedonase, është gjithashtu një çështje më vete. Që në muajin maj, sipas Hasanit, persona të caktuar, shkojnë derë më derë ku ka gjysmëmaturantë shqiptarë dhe i bindin prindërit se është më mirë që fëmijët ti regjistrojnë në paralelet maqedonase. Pra, janë një sërë faktorësh që pengojnë hapjen e paraleleve të mesme në gjuhën shqipe në Manastir. Pa kapërcimin e tyre, nuk mund të pritet që të formohen paralelet e mesme në gjuhën shqipe. “Nxënës shqiptarë ka. Edhe atë jo vetëm për një, por për dy e për tre paralele. Mirëpo, problemi është se prindërit nuk dërgojnë i fëmijët në ato paralelet të cilat caktohen nga MASH-i”, tregon arsimtar Josufi. Arsyet janë shumë më të thella dhe problemi nuk është aq i thjeshtë sa mund të duket, vërën ai. E para, thotë se ka të bëjë me suksesin e notave të nxënëse. Duke aluduar te paralelet e drejtimit motër medicinale dhe teknik i gjeodezisë, për arsimin e mesëm profesional, Josufi shprehet se “nuk do të bëhen të gjithë shqiptarët e Manastirit infermierë dhe gjeodetë”. Regjistrimi i nxënësve në paralelet maqedonase të drejtimeve ekonomi, elektroteknikë, komunikacion dhe të tera, sipas tij, tregon se nevojat për arsimim të mesëm profesional të nxënësve shqiptarë janë shumë më të gjëra se planifikimet e MASH-it. Prandaj, kjo e fundit duhet të zbret në terren dhe të konsultohet me njerëzit që njohin nga afër nevojat reale të nxënësve. Duhet njëkohësisht të vendosen kontakte me prindërit për ti inkurajuar ata dhe për tu dhënë besimin e munguar ndër vite. Por, edhe në këtë pikë, MASH ka dështuar të kryejnë obligimet e vete. “Përfaqësues të MASH-it vinë në Manastir, çdo vit. Mirëpo, takimet i kanë me maqedonasit dhe jo me shqiptarët”, tregon për gazetën KOHA Josufi.
Krahas dy paraleleve të mjekësisë dhe gjeodezisë, sipas Konkursit, për nxënësit shqiptarë është caktuar edhe formimi i një paralele në drejtimin gjimnaz. Mirëpo, minimumi i pikëve të nevojshme për regjistrim është 60 pikë, ashtu sikurse është i lartë edhe minimumi i pikëve për paralelet e motrave medicinale, 70 pikë. Në rrethanat e Manastirit, ku arsimi fillor në gjuhën shqipe zhvillohet me mungesa të shumta – është e pamundur që të gjithë nxënësit të jenë me sukses të shkëlqyeshëm. Në radhë të parë, nuk është i madh numri i përgjithshëm i gjysmëmaturantëve që kryejnë në gjuhën shqipe (rreth 70 nxënës) dhe e dyta nuk mund të kërkohet prej tyre të jenë të shkëlqyeshëm kur 30 për qind të arsimtarëve i kanë maqedonas, që nuk dinë të komunikojnë në gjuhën e nxënësve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.