Rei Manaj u transferua me bujë te Barcelona B me synimin dhe ëndrrën e madhe që do të debutonte edhe me ekipin e parë, por ëndrrës i shkoi shumë pranë pa e realizuar atë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare rrezikon që të largohet pa e prekur ëndrrën e karrierës së tij, edhe pse një ditë do t’u tregojë fëmijëve dhe nipërve se u stërvit dhe festoi përkrah Lionel Mesit. Dështimi i Barcelonës B për të arritur në Ligën e Dytë spanjolle mund të sjellë pasoja të shumta në klub dhe një prej tyre është largimi i Rei Manajt. Sulmuesi shqiptar kaloi nga Albasete te katalanasit në muajin janar për 700 mijë euro dhe 2 milionë euro si bonuse në bazë të rendimentit të tij për tri vite e gjysmë kontratë. Por 7 muaj më vonë, burime brenda klubit të Barcelonës bëjnë me dije se ky transferim nuk ishte ashtu siç prisnin.
“Mundo Deportivo” shkruan se në klub do të ketë ndryshime të shumta dhe njëri prej lojtarëve që mund ta pësojë është sulmuesi lushnjar. Gazeta katalanase raporton se klubi është i gatshëm për të dëgjuar oferta gjatë merkatos sepse sulmuesi nuk përshtatet shumë me filozofinë e skuadrës dhe mënyrën e lojës.
Manaj gjatë aventurës me Barcelonën B ka shënuar vetëm 2 gola, por ai pati probleme sepse shpeshherë stërvitej me ekipin e parë dhe kjo gjë nuk e ndihmonte për të punuar me ekipin e akademisë. Në një ndeshje të La Ligës, trajneri Setien e grumbulloi, por nuk e aktivizoi.
A ishte mesazhi i Rei Manajt në profilin e tij në “Instagram” një mesazh lamtumire për Barcelonën dhe një përshëndetje për shokët e skuadrës së tij? Ajo çfarë kishte shkruar të bënte të mendoje diçka të tillë. “Faleminderit të gjithëve”, shkruante Manaj, teksa postoi foton me skuadrën Barcelona B pas humbjes së finales për t’u ngjitur në Ligën e Dytë spanjolle.
Por çfarë falënderonte Manaj pas një humbjeje? Në drejtimin e tij nuk ka pasur mesazhe urimi për fitore, sepse skuadra humbi. Ndoshta ka falënderuar ekipin për kohën që kaloi dhe kjo të bën të mendosh se do të largohet. Ende nuk ka pista për destinacionin e tij të ardhshëm, por sigurisht kampionati italian është ai që josh më shumë Manajn. Një tjetër mesazh në rrjetet sociale kishte të bënte me këtë gjë. Ai kishte postuar një foto me flamurin italian. Po kalon pushimet apo do të transferohet aty? Gjithçka mbetet për t’u parë.