Kosova pranë arritjes së parë historikë në futbollin ndërkombëtar. “Dardanët” luajnë sot, në orën 18:00, në stadiumin “Ta’Qali” të Maltës mundësinë e artë për të hedhur një tjetër hap të sigurt drejt konfirmimit në vendin e parë në Grupin 3 të Ligës D. Përballë është Malta, që kundërshtare që u ka sjellë fat “Dardanëve”, pasi i ka marrë dy barazime Azerbaixhanit, ndërsa me Kosovën, në takimin e luajtur në Prishtinë doli e mposhtur.
Tani Kosovës i duhet të fitojë ndaj Maltës, për herë të dytë, që t’i afrohet synimit të madh. Kosova e siguron grupin në rast suksesi me Maltën dhe në ndeshjen tjetër Azerbajxhani nuk arrin fitore ndaj Ishujve Faroe. Nëse skuadra e Challandes nuk merr maksimumin në Maltë (edhe nëse humbet), sërish do të ketë shanse të mëdha për vendin e parë në përplasjen direkte të “Fadil Vokrrit”, Kosovë-Azerbaixhan.
Gjithsesi, është shumë e rëndësishme që Kosova në takimin e fundit të jetë kryesuese e grupin, që të luajë e qetë dhe qoftë për një barazim me kundërshtarin direkt.
Fitorja e Kosovës me Maltën është më se e mundshme, bazuar në cilësinë e dy përfaqësueseve e po ashtu në formën e shfaqur së fundi. Malta nuk fiton prej 12 ndeshjesh pa fitore (3 barazime dhe 9 humbje), ndërsa “Dardanët” kanë 7 ndeshje pa humbje (5 fitore e 2 barazime).
Ndeshjet e fundit të grupit luhen të martën. Kosova e pret Azerbajxhanin në ndeshjen që mund të vendosë për vend të parë, ndërsa takimi Maltë – Ishujt Faroe pritet te jetë vetëm për statistika.