Partia qeverisëse e Maltës ka zgjedhur liderin e ri dhe kryeministrin që do të zëvendësojë Joseph Muscatin, që dha dorëheqje lidhur me vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.
Robert Abela fitoi garën e partisë laburistë duke fituar 57 për qind të votave, transmeton KTV. Paraardhësi i tij, Muscat, në muajin dhjetor konfirmoi dorëheqjen në lidhje me hetimet për vrasjen e gazetares.
Ajo u vra me një bombë në vitin 2017, në periudhën kur po hetonte aferat e korrupsionit në Maltë. Mënyra e menaxhimit të hetimeve për vrasjen e gazetares ngjalli pakënaqësi të mëdha në Maltë.
Kryeministri u akuzua për mbrojtjen e të dyshimtëve. Në fjalimin e tij të fitores, Abela bëri thirrje për bashkim të shtetit në këtë kohë krize, por gjatë fushatës, ai iu shmang kritikave ndaj Muscatit apo mënyrës se si do t’i menaxhojë hetimet e vrasjes së gazetares.