Real Madrid ka zyrtarizuar shkarkimin e Julen Lopeteguit, pas një bilanci dramatik me vetëm 5 tore në 12 ndeshje, shoqëruar me 5 humbje dhe dy barazime. Aventura e ish-trajnerit të Spanjës në krye të madrilenëve zgjati kështu vetëm katër muaj e gjysmë.
Mallkimi i trajnerëve spanjollë të promovuar me aq shumë zell nga Perez duke se ka goditur sërish klubin më të suksesshëm spanjoll. “Epoka” e Lopeteguit në drejtim të skuadrës ka zgjatur vetëm 126 ditë.
Por të njëjtin fat kanë pasur edhe trajnerë të tjerë bashkëkombës të tij, ku secili ka qëndruar në detyrë mesatarisht 144 ditë. Pas largimit të Vicente del Bosque, të gjithë trajnerët e tjerë spanjollë kanë kaluar një “ferr” të vërtetë në “Bernabeu”.
Kështu, Camacho ka zgjatur vetëm 117 ditë në drejtim të skuadrës, Garcia Remon akoma më pak (101 ditë) Lopez Caro mundi të drejtonte skuadrën për vetëm 161 ditë ndërsa Rafa Benitez, i parafundit prej spanjollëve, zgjati disi më shumë, 215 ditë.
Presidenti Florentino Perez mori vendimin që pritej prej disa ditësh pas humbjes së thellë 5-1 kundër Barcelonës në “El Clasico”, pas së cilës Reali mbetet në vend të nëntë në kampionat, diçka që nuk ndodhte prej sezonit 2001-2002.
Në vend të Lopeteguit përkohësisht është emëruar Santiago Solari, i cili drejtonte deri sot skuadrën B. 52-vjeçari argjentinas gjithsesi nuk e di ende se për sa kohë do ta mbajë këtë detyrë. Lopetegui drejtoi stërvitjen të hënën në mëngjes, por pasdite fati i tij u vulos pas një takimi të bordit drejtues. Në deklaratën që lëshoi klubi spanjoll thuhej se mes cilësisë së stafit drejtues dhe rezultateve kishte mospërputhje të madhe.
Tetë nga 30 lojtarët e skuadrës janë kandidatë për Topin e Artë 2018. Solari do të ketë një seri ndeshjesh të lehta në letër që mund ta ndihmojnë të ringrejë moralin në skuadër, duke nisur me takimin kundër skuadrës së kategorisë së dytë, Melilla, të mërkurën për Kupën e Spanjës.
Më pas madrilenët luajnë kundër Valladolid, Viktoria Plzen dhe Celta Vigon