Roma duket se është e mallkuar këtë sezon teksa dëmtimet e futbollistëve kanë mbushur infermierinë e klubit. Në ndeshjen e djeshme të Serisë A ndaj Sampdorias, tekniku Fonseka humbi edhe dy elementë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për mesfushorin Brajan Kristante dhe sulmuesin Nikola Kaliniç.
Mesfushori italian ka pasur një problem në tendinë dhe u largua nga fusha në minutën e shtatë. Dëmtimi nuk premton për një rikuperim të shpejtë dhe verdhekuqtë duhet të qëndrojnë pa shërbimet e Kristantes për rreth tre muaj.
Kështu, me shumë mundësi Kristante ka mbyllur këtë vit para kohe. Në një situatë tjetër është Kaliniç. Kroati ka pësuar një problem në gjurin e majtë dhe nëse shkalla e dëmtimit konfirmohet, atëherë mund të mungojë deri në dy muaj, në rast se do t’i nënshtrohet operacionit. Kristante dhe Kaliniç e çojnë në 14 numrin e të dëmtuarve në skuadër në këto dy muaj.