Alexis Sanchez është lojtari i fundit i Manchester United që po vuan nga mallkimi i numrit 7. Ylli i Kilit po kalon periudhën më të vështirë të karrierës së tij, madje në fundjavë u la jashtë skuadre nga Jose Mourinho pasi trajneri u përkul përpara thirrjeve të tifozëve për përjashtimin e tij.
Ai doli nga fusha çerek ore para përfundimit edhe në ndeshjen e Champions League kundër Valencias, ndërsa deri tani ka treguar një formë shumë më të dobët krahasuar me periudhën kur luante tek Arsenal.
Por 29-vjeçari nuk është i vetmi lojtar i viteve të fundit që ka hasur vështirësi te United pasi ka marrë fanellën me numër 7. Që prej largimit të Cristiano Ronaldos për te Real Madrid në vitin 2009, pesë lojtarë e kanë veshur atë uniformë por nuk kanë arritur kurrë të ngrihen në nivelin e portugezit.
Gjërat bëhen edhe më ironike, kur merr në konsideratë të shkuarën e këtij numri që në “Old Trafford” është mitik, pasi e kanë mbajtur disa nga legjendat e United, si George Best, Eric Cantona e David Beckham.
Për të kaluar nga Ronaldo e deri te Sanchez, numri 7 ka “udhëtuar” mbi shpinën e Miachel Owen, Antonio Valencias, Angel di Marias dhe Mephis Depayt. Asnjëri prej tyre nuk është se ka treguar ndonjë gjë më shumë se sa kileni.
Mes tyre, të pestë këta lojtarë kanë shënuar në total 13 gola në Premier League duke luajtur 138 ndeshje me këtë fanellë. “Mallkimi” konfirmohet edhe nga fakti që pasi kanë lënë numrin 7 te United, Di Maria dhe Depay po luajnë shumë mirë në Francë, ndërsa Valencia – i cili ka marrë numrin 25 po te United – po luan shumë herë më mirë si mbrojtës i djathtë nën drejtimin e Mourinhos…/EDS/
5 lojtarët e fundit që kanë mbajtur numrin 7 te Manchester United
Michael Owen: 31 ndeshje, 5 gola në Premier League
Antonio Valencia: 30 ndeshje, 1 gol në Premier League
Angel Di Maria: 27 ndeshje, 3 gola në Premier League
Memphis Depay: 33 ndeshje, 2 gola në Premier League
Alexis Sanchez: 17 ndeshje, 2 gola në Premier League