Mund të quajmë pa frikë “mallkimi i numrit 7“. Për Mançester Junajtid, nga viti 2009, kur u largua Kristiano Ronaldo, kushdo që e ka veshur fanellën me këtë numër, ka qenë protagonist në sensin negativ.
Asi portugez e ka veshur fanellën e “Djajve të kuq” nga 2003-shi në 2009-ën, duke shënuar 84 gola në 6 sezone me fanellën historike, që para tij e kanë veshur kampionë kalibri si Best, Robson, Kantona dhe Bekham. Por nga ikja e Ronaldos, i cili kaloi te Real Madrid, çdo lojtar që ka veshur këtë fanellë, ka dështuar. Janë 5 lojtarë, që të gjithë bashkë në këto 10 vite kanë shënuar vetëm 15 gola.
Nga ata që janë paraqitur më keq me 7-ën e Mançesterit, është Aleksis Sançez, ish-lojtari i Barcelonës dhe Udinezes, si dhe Memfis Depai. I pari ka shënuar 3 gola, kurse i dyti 4 gola. Ai që nuk ka të bëjë fare me numrin 7 të Mançesterit, është Antonio Valencia. Vetëm një gol për të dhe më pas fanella numër 25.
Angel Di Maria ka qenë një nga afrimet më të kushtueshme të Mançester Junajtid. Për të u paguan 59 milionë stërlina, por argjentinasi shënoi vetëm 2 gola. Majkëll Ouen ishte i pari që veshi këtë fanellë pas Ronaldos, por shënoi vetëm 5 gola në 2 sezone, në 31 ndeshje.