Mallkimi i dëmtimeve vazhdon të përndjekë Romën, që në seancën e sotme stërvitore ka humbur edhe mbrojtësin e afruar në orët e fundit të merkatos verore, italianin Davide Zappacosta.
Ky i fundit ka këputur ligamentin e kryqëzuar të gjurit të djathtë dhe do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni që do ta mbajë larg vrapimeve në fushën e lojës, për të paktën 5 muaj.
“Gjatë stërvitjes së sotme, Davide Zappacosta ka këputur ligamentin e kryqëzuar të gjurit të djathtë. Drejtuesit e klubit i shprehin keqardhje dhe mbështetje mbrojtësit dhe i urojnë rikuperim sa më të shpejtë. Ai iu nënshtrua menjëherë operacionit dhe duke filluar nga dita e nesërme do të nisë procesin e rehabilitimit”, thuhej në komunikatën e klubit verdhekuq.
Zappacosta u huazua nga Chelsea te Roma deri në janar, me të drejtë shtyrjeje të kësaj periudhe deri verën e ardhshme, por duket se tashmë verdhekuqtë nuk do ta mbajnë më gjatë mbrojtësin, që në fillim të vitit pritet të rikthehet në Londër.