Mali Sharr pothuajse në të gjithë pjesët pritet në mënyrë të pamëshirshme, ndërsa kjo, sipas ekspertëve të ekologjisë, do të ndikojë keq në të ardhmen, pasi vetë fshatrat do të jenë në rrezik nga erozioni i dheut
Urim HASIPI
Tetovë, 27 prill – Krijimi i një vizioni të përbashkët për Malin Sharr ishte tema e takimit të radhës të platformës “Miqtë e Sharrit” që u mbajt në Tearcë. Në tribunën në Tearcë është theksuar nevoja për krijimin e një trupi këshillues për Malin Sharr, që duhet të përfshijë të gjitha palët e interesuara nga gjashtë komunat e Pollogut, shkruan gazeta KOHA.
Ky ishte takimi i pestë nga gjashtë gjithsej që mbahen në rajonin e Malit Sharr, ndërsa mbahen në kuadër të projektit dhe aktiviteteve të Platformës Miqtë e Sharrit, të përkrahur nga Mekanizmi IPA -2 dhe zyra e GIZ-it në Shkup. Të pranishëm ishin përfaqësues të komunës, nga bashkësitë lokale, shoqata joqeveritare, mbledhës të frutave të malit, blegtorë, gjuetarë, nga sektori I biznesit dhe shoqata malore.
Përndryshe Shoqata Ekologjike Maqedonase dhe platforma “Miqtë e Sharrit” gjatë vitit 2015 kishte realizuar një anketë me qytetarët për shpalljen e Malit Sharr park kombëtar. Sipas kësaj ankete, 83 për qind e banorëve të cilët jetojnë në komunat përgjatë Malit Sharr dëshirojnë që i njëjti të shpallet Park Kombëtarë. Hulumtimi është bërë në 30 vendbanime në Komunat Jegunocë, Tearcë, Tetovë, Gostivar, Bogovinë dhe Vrapçisht me 410 anketues të moshës 18 deri në 60 vjeçare. Sipas anëtarëve të platformës “Miqtë e Sharrit”, ky hulumtim ka vërtetuar edhe një nga problemet më të mëdha që është prerja ilegale e druve.
“Në pjesën më të madhe të pyetjeve qytetarët janë përgjigjur me shqetësim për shfrytëzimin e pyjeve. Sipas hulumtimit, rreth 63 për qind e të anketuarve vlerësojnë se drunjtë në Malin Sharr shfrytëzohen në masë të madhe. Natyra e pyjeve nuk është mbrojtur janë shprehur rreth 79 për qind të atyre që janë anketuar”, thonë organizatorët e kyçur në aktivitetet për shpalljen e Malit Sharr si Park Kombëtar.
Nga Shoqata Ekologjike maqedonase theksojnë se nëse Mali Sharr shpallet park kombëtar, atëherë kjo do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të turizmit. “Bashkërisht me parkun ekzistues kombëtar në pjesën e Kosovës, në këtë mënyrë mund të arrijmë që të krijojmë një rajon të mbrojtur nga i cili mund të përfitojë popullata vendore përmes zhvillimit të turizmit dhe në këtë drejtim mund të mbrohet Flora dhe Fauna që është unikate në Malin Sharr”, thonë nga Shoqata Ekologjike maqedonase. Vendimin përfundimtar do ta sjell Qeveria pasi të jenë bërë të gjitha studimet dhe përgatitjet e nevojshme.
Ndryshe, Mali Sharr pothuajse në të gjithë pjesët pritet në mënyrë të pamëshirshme, ndërsa kjo sipas ekspertëve të Ekologjisë do të ndikojë keq në të ardhmen, pasi që vetë fshatrat do të jenë në rrezik nga erozioni i dheut dhe në këtë drejtim vetëm Parku Kombëtar do të shpëtonte Sharrin nga shkatërrimi i tij. Pas shpalljes së Malit Sharr si park nacional, ky rajon do të ketë shumë beneficione pohojnë njerëz të cilët janë të kyçur në iniciativën për shpalljen Park nacional të Malit Sharr. (koha.mk)