Nëpër shumë qytete të Malit të Zi, sot, pas mesnate, kanë gdhirë pllakate në të cilat është shkruar “Kurrë më vitit 1918”, transmeton Koha.net.
Pllakate u vendosën në Podgoricë, Budvë, Tivar, Plevle dhe Kotor. Me këtë vënie pllakatesh u shënua 100 vjetori i vendimit të Kuvendit të Malit të Zi për bashkim me Serbinë i cili konsiderohet akt tradhtar i deputetëve dhe akt pushtues nga Serbia. Pas këtij vendimi, në Mal të Zi hyri ushtria e Serbisë.
Në pllakate: Pas hyrjes së regjimentit të dytë vullnetar në territorin e Malit të Zi, vojvoda Zhivojin Mishiq urdhëron: “…Në territorin që e ka pushtuar ushtria jonë, të shuhet çdo agjitim, me të gjitha mjetet në dispozicion dhe pa asnjë ngurrim”, përcjell Veçernje novosti.
Kjo nuk është hera e parë që nëpër qytetet në Mal të Zi të vihen pllakate me përmbajtje të tillë.
Nëpër to shkruan se janë vrarë më shumë se 3,200 veta, se janë plaçkitur e djegur më shumë se 5,800 shtëpi e objekte të tjera malazeze dhe se janë keqtrajtuar, më shumë se 4,700 burra, gra e fëmijë. Lëvizja për Mal të Zi ka iniciuar kërkesën për pagesën e dëmeve të luftës nga Serbia.