Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, konfirmoi të mërkurën se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.
Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e sotëm në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq.
Vila Shtetërore “Gorica”, ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ndodhet nën masa të rrepta sigurie nga policia.
Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, që nga momenti i publikimit, shkaktoi konflikte brenda Qeverisë së Dritan Abazoviqit dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse.
Një pjesë e mazhorancës qeverisëse, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se Marrëveshja Themelore është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi, nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.
Kryeministri Dritan Abazoviq hodhi poshtë po ashtu, kundërshtimet e paraqitura nga organizatat joqeveritare, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi dhe institucionet e tjera për versionin e Marrëveshjes Themelore.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se sot do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit.
“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së.
DPS-ja e Gjukanoviqit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviqit. Ajo, gjithashtu, ka dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj. (REL)