Podgoricë, 9 maj – Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, deklaroi pas bisedës me sekretarin amerikan të shtetit Reks Tilerson se Mali i Zi formalisht do të bëhet anëtare e NATO-s më 5 qershor. “Ky ishte rast për t’i hapur të gjitha çështjet, si në marrëdhëniet tona dypalëshe, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor, Bashkimin Evropian dhe botën”, theksoi Markoviq. Ai theksoi se Mali i Zi “15 vitet e fundit të paqes dhe stabilitetit i ka shfrytëzuar në mënyrën sa më të mirë të mundur”, duke shtuar se vendi i tij më 5 qershor me siguri edhe formalisht do të bëhet anëtare e NATO-s. Markoviq vlerësoi se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe SHBA-së kanë dinamikë të kënaqshme, që veçanërisht është treguar me ratifikimin e shpejtë të Protokollit për inkuadrimin e Malit të Zi në NATO. “Flasim edhe për çështjet që kanë të bëjnë me stabilitetin dhe paqen e Ballkanit, si kushtet për perspektivën euroatlantike, në kushte kur ndodhin trende shqetësuese, kur ekziston jostabilitet gjithnjë e më i madh. U pajtuam para së gjithash, që liderët e Ballkanit kanë përgjegjësi vetë ta gjejnë zgjidhjen për vizionin e Ballkanit, që do të jetë evropian dhe euroatlantik”, theksoi kryeministri malazez. Një prej temave të bisedës midis Tilerson dhe Markoviq ishte edhe presioni i Rusisë ndaj Malit të Zi dhe prania e fuqishme e Moskës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “RTCG” lajmëron se Markoviq ka theksuar se qëndrimi i sekretarit amerikan të shtetit Tilerson është se veprimi i Rusisë në Mal të Zi nuk është rast i njëanshëm, por se janë të përzier edhe vende të tjera nga Evropa dhe më gjerë dhe se është konstatuar se presioni po zgjerohet. Kryeministri malazez theksoi se presioni i Rusisë ndaj Malit të Zi është zgjeruar nga sfera politike dhe e sigurisë deri në sferën ekonomike.