Në përzgjedhjen e personazheve për numrin e fundvitit nuk kishte si të mungonte edhe një emër mjaft i njohur dhe i dashur i muzikës shqiptare nga Mali i Zi. Ai që sjellë gjithmonë risi në skenë vjen në një rrëfim se si e ka kaluar këtë vit Pandemie. Malësori i tregon të gjitha në këtë intervistë të sinqertë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ka qenë gjithë kjo periudhë për ju nga fillimi i vitit, si do e përshkruaje me pak fjalë?
Fillimi i vitit 2020 ishte krejt normal sikur pothuajse vitet tjera. Me punët e mia të përditshme dhe me angazhime në jetën profesionale. Në programet festive u paraqita me dy projekte dhe vitin e fillova me sukseset e atyre projekteve. Krejt në rregull deri në muajin Mars kur filloi pandemia këtu tek ne. Atëherë ndodhi një ndryshim ekstrem në jetën time, natyrisht sikur edhe në jetën e njerëzve në mbarë botën. Në profesionin tim si këngëtarë, ndryshimi ekstrem vërehet më shumë sepse zakonisht angazhimet e mëdha e jeta dinamike të cilën ta dikton ky profesion, u ndërprenë menjëherë edhe filloi një periudhë pasive. U deshtë me u mësua edhe në këtë lloje pasivitetit, por kur është njeriu shëndosh e mirë e kur e ka familjen e rrethin mirë, të gjitha tjerat përballohen e mësohemi me të gjitha.
KOHA: Po në aspektin profesional sa ju ka dëmtuar?
Përpos atyre ndryshimeve të mëdha që i përmenda më lartë, natyrisht që kjo periudhë me pandemi na ka dëmtuar shumë edhe në aspektin profesional. Jeta e një këngëtarit është shumë dinamike, e përplot me angazhime, takime të ndryshme, udhëtime të shumta etj. Mbi të gjitha më ka munguar kontakti i drejtpërdrejtë me publikun, ai kontakti nga skena. Njerëzit në fillim të pandemisë nuk e kishin deri tek muzika as deri te projektet muzikore, por natyrisht që e kishin dhe e kanë, mbi të gjitha kujdesin për shëndetin e vetë dhe familjar. Por tashmë, po më duket që u mësuam edhe me pandeminë dhe të gjitha duket që dal ngadalë po kthehen në normalitet. Ju e dini që kur nuk është njeriu aktiv në profesionin e tij, atëherë edhe krijimtaria vjen e ndërprehet, ose është më e zbehtë. Megjithatë njerëzit e dijnë që muzika dhe argëtimi janë elemente shumë të rëndësishme në jetën e njeriut dhe tashmë kanë filluar edhe kërkesat dhe rezervimet për pjesëmarrje në mbrëmjet e ndryshme muzikore, gazmendet familjare etj.
KOHA: Cilët kanë qenë projektet që nuk keni mund t’i realizoni por që planifikoni pas stabilizimit të gjendjes?
Menjëherë pas Vitit të Ri 2020, unë e mora një këngë të re, me një tekst e muzikë fenomenale nga Ilir Berani, bashkëpunëtori im i vjetër. Ia filluam përgatitjet për realizimin e saj në studio, e më vonë edhe për videoklip. Por erdh pandemia edhe të gjitha ato u ndërprenë. Unë zakonisht në stinën e verës realizoj poashtu këngë të reja me videoklipe, e kështu këto mbetën pa u realizuar. Shkoi pothuajse një vit i tërë pa angazhime në skenë dhe të gjitha ato pjesëmarrje të shumta që i kisha të kontraktuara u ndalën e nuk u realizuan.
KOHA: Me çfarë surpriza keni befasuar mbështetësit tuaj këtë fundvit?
Mbas gjithë këtyre muajve, megjithatë i punova dy këngë te reja, të cilat sapo janë publikuar. E para, që u publikua në muajin Nëntor është kënga “Burre e gru”, një këngë ritmike që u prit tepër mirë nga publiku. E ka një mesazh të fortë dashurie dhe në të njëjtën kohë tregon edhe elemente tradicionale në familjen shqiptare. Është këngë e punuar në bashkëpunim me producentin Ilir Beranin dhe orkestruesin Ardian Kastratin nga Shkupi. Kënga e dytë, e cila u publikua në fillim të muajit Dhjetor, është “Malli për ty”. Një gjysëm baladë popullore, e shkruar dhe kompozuar poashtu nga Ilir Berani dhe e orkestruar nga Burim Krasniqi. Është një këngë shumë e veçantë, me një tekst jashtëzakonisht të bukur dhe me një melodi shumë melankolike. Kjo këngë dallon nga të gjitha baladat e mija te deritanishme dhe dëshira ime, edhe e Ilirit, ishte që të përcillet me instrumentin tonë tradicional çiftelinë, të cilës i ra mjeshtri Burim Krasniqi. Kënga është duke u pritur fortë mire dhe jam shumë i kënaqur me reagimin pozitiv të dëgjuesve. Unë nuk kam dëshirë që në programet e fundvitit të paraqitem me potpuria, covera e me këngë të dëgjuara më parë. Çdoherë kam realizua këngë të reja, të punuara me shumë kujdes, njëjtë sikur edhe për videoklipe.
KOHA: A keni menduar të realizoni një turne të madh me performanca të jashtëzakonshme bashkë me kolegë të ndryshëm nëpër trojet shqiptare?
Ato turnet e mëdha që zakonisht i bënim përpara, viteve të fundit janë bërë me një ndryshim. Edhe koncertet e mëdha, ku merrnin pjesë një numër i madh i këngëtarëve, kanë ndryshuar. Viteve të fundit kemi marrë pjesë me kolegë nëpër mbrëmje argëtuese në vendin tonë si dhe në diasporë. Ky stil i organizimit është edhe për festat tona kombëtare. Këto varen shumë edhe nga ftesat e organizatorëve të ndryshëm dhe zakonisht kështu na imponohet në cilin vend do të performojmë. Megjithatë ndonjëherë është mirë edhe me vetë iniciativë me organizua mini-turne nëpër vendet tona, me kolegë të mirë, pse jo. Për momentin nuk mund të premtoj asgjë, veç së e di se shumë shpejtë do të kthehemi të publiku ynë, edhe ju premtoj se më të fortë se përpara.
KOHA: Çfarë ka ndryshuar tek Malësori në këto 10 vitet e fundit e që publiku shqiptarë nuk e din?
Nuk besoj që është ndonjë element që publiku ynë nuk e di për mua, sepse gjithnjë kam qenë i hapur për intervista e çdoherë kam qenë i sinqertë. Të gjitha ato që duhet publiku ti dijë për mua, si në jetën time private, si në atë profesionale, i di. Ndoshta u forcua të unë përkushtimi im për muzikën e projektet me mesazhe të mira e pozitive,por ato vërehen edhe pa pas nevojë ti shpjegoj unë. Sa të më jep Zoti shëndet e vullnet për me krijua, në këngët e mija do të ketë vetëm mesazhe pozitive që i bashkon zemrat e shqiptarëve ngado që janë, si dhe zemrat e te rinjve. Qëllimi im është që në çdo moment të rinjtë tonë, që rriten në atdhe si dhe ata në diasporë, të marrin emocione të ngrohta nga vlerat tona shoqërore e kombëtare. I përshëndes nga zemra të gjithë lexuesit e gazetës Koha dhe ju uroj nga zemra festat e fundvitit. Ju do shumë Malësori.